Drejtësia

Dosja e ’21 Janarit’ i kalon SPAK-ut për hetim, Gjykata e Lartë pranon kërkesën e familjarëve të viktimave

Gazeta Si – Gjykata e Lartë vendosi që çështja e “21 Janarit” t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për hetim 13 vjet pas ngjarjes ku 4 protestues u vranë para kryeministrisë në bulevard.

Vendimi i Gjykatës së Lartë është detyrues për Prokurorinë e Posaçme, duke pranuar në këtë mënyrë kërkesën e familjarëve të viktimave që “21 Janari” të hetohet nga SPAK.

Me vendimin e Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë, do të duhet që SPAK të regjistrojë procedimin penal për këtë çështje dhe të hetojë të gjithë zinxhirin komandues të trazirave të 21 Janarit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku mbetën të vrarë 4 protestues.

SPAK do të duhet që të tërheqë dosjen e “21 Janarit” nga Gjykata e Tiranës që e ka hetuar më parë këtë çështje.

Në 21 Janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”.

Seanca, cila nisi në orën 13:00, u përfshi nga debat mes gjyqtarit Sokol Binaj dhe prokurorit të Posaçëm, Alfred Shehu.

Debati mes prokurorit të SPAK dhe trupit gjykues:

Gjyqtari lir Panda: Ju keni kryer veprime verifikuese në lidhje me këtë kallëzim?

Prokurori Shehu: Është kërkuar vetëm një informacion nga arshiva, pasi me herët në SPAK ka qenë një kallëzim tjetër me të njëjtin objekt, por me palë të tjera.

Gjyqtari Sokol Binaj: Kush heton për zinxhirin drejtues të shtetit? Ka ndonjë stimul Strasburgu për juve? Funksionarë të lartë të shtetit të implikuar në këtë linjë. Ka detyrim për juve?

Prokurori Shehu: Deri tani nga hetimi i Prokurorisë Tiranë nuk është regjistruar ndonjë emër.

Gjyqtari Binaj: Edhe po t’u dalë nuk e regjistrojnë, sepse nuk e kanë në kompetencë.

Prokurori Shehu: Praktika është që regjistrohet, por pastaj kalon për kompetencë.

Avokati i familjes Nika, Idaket Beqiri

Idajet Beqiri, përfaqësuesi i familjes së një prej viktimave të “21 janarit”, Aleks Nika, deklaroi në fillim seancës se shpallja e moskompetencës nga SPAK krijon një precedent të rrezikshëm. Ai tha se organi i akuzës nuk operon me shkresa, por me vendime.

“Ne kemi paraqitur rekurs para jush dhe kërkojmë që në përfundim të këtij gjykimi të vendoset kalimi i çështjes pranë SPAK, sepse ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe ka përdorur mjete ekstra proceduriale që nuk bazohen në kodin e procedurës penale. I kemi me shkrim, janë dhjetë faqe, po flas në mënyrë të përmbledhur. Kallëzimi penal ndaj personave është në kompetencë të SPAK dhe jo të prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm. Si viktimë krimi, paraqiten rrethanat dhe me emër e mbiemër. Ne nuk prisnim mos kompetencë që u miratua dhe nga gjykata. Ligjvënësi ka caktuar disa mënyra si konflikt kopetencash, mos fillim apo pushim çështjeje. Dhe nga pikëpamja lëndore kjo çështje i përket SPAK”, – tha avokat Idajet Beqiri para gjykatës.

Prokurori Shehu kundër hetimit nga SPAK: S’ka shkaqe të pranohet rekursi

Por SPAK mendon se nuk është ende momenti që dosja e “21 Janarit” të merren në shqyrtim prej saj. Në seancën e mbajtur këtë të martë në Gjykatën e Lartë, përfaqësuesi i SPAK, prokurori Alfred Shehu, tha se rekursi nuk duhet të pranohet, pasi një organ tjetër kompetent është duke vijuar hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, për identifikimin e autorëve.

“Në këtë fazë të hetimit, kurrsesi nuk mund të aludohet për krim në formën e organizatës kriminale, por edhe për emra, subjekte të SPAK”, citohet të ketë thënë Shehu.

Sipas prokurorit, “duhen të dhëna minimale për të nisur një procedim penal. Që prokurori të ngrejë akuzë duhet të zhvillojë një hetim të thelluar. Duke iu kthyer rekursit theksojmë se SPAK nuk ka regjistruar kallëzim penal, por vetëm regjistrim kallëzimi. Për shkak se prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal dhe ka nisur hetimin për vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës. Gjithashtu rezulton se nga përmbajtja e materialit kallëzues në lidhje me objektin e kallëzimit penal nuk rezulton të jenë identifikuar autorët të kësaj vepre penale, madje as emrat e subjekteve të posaçëm. Pavarësisht ngjarjes së rëndë nuk rezulton që ngjarja të jetë kryer në formën e bashkëpunimi të vecantë që të jetë kopetencë e Spak. Nga kërkuesja Rajmonda Nika trashëgimtare e Aleks Nikës kjo e drejtë duhej te ushtrohej nëse prokuroria që e ka nën hetim cështjen të merrte një vendim mos fillimi. Vendimet e Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit duhet të lihen në fuqi. Kërkojmë nga Gjykata e lartë mospranimin e rekursit”, – tha Shehu.

Bashkëshortja e Aleks Nikës pas vendimit: E vërteta gjithmonë fiton

Në Gjykatën e Lartë ishin të pranishëm familjarë të viktimave të “21 Janarit”, si dhe xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika dhe e veja, Rajmonda Nika.

Bashkëshortja e Aleks Niskës pas vendimit të Gjykatës Lartë foli për mediat, ku tha se shpreson drejtësi nga SPAK.

“E vërteta gjithmonë fiton”, tha ajo, teksa shtoi se SPAk ështb krijuar për të hetuar më të fuqishmit.

“E vërteta gjithmonë fiton, të gjithë zinxhirin që është nga Sali Berisha dhe nga më i vogli spak është krijuar për të të hetuar më të fuqishmit,  besoj të vazhdojë, këtë kemi pritur”, tha ajo.

Vendimi i Strasburgut

Kështu, Gjykata e Lartë, me një vendim urdhërues vendos që hetimet do t’i vijojë SPAK, për të hapur hetimin e asaj që Gjykata e Strasburgut e quajti krim shtetëror.

Vendimi i Strasburgut i datës 14 nëntor 2023 bën thirrje për drejtësi dhe dënimin e përgjegjësve të atij krimi shtetëror.

Edhe Gjykata e Strasburgut ka kërkuar rihetimin e kësaj ngjarje, ku katër qytetarë u vranë nga plumbat e Gardës me urdhër të shtetit.

Në nëntor 2023, Gjykata e Strasburgut shpalli vendimin e radhës për Aleks Nikën, duke gjetur si shkelje mos hetimin dhe mos zbardhjen e vrasjes së tij.

Një ditë më parë, nëpërmjet një letre, bashkëshortja e Aleks Nikës, Rajmonda Nika, tha se disponon një mikrokasetë ku janë rregjistruar urdhrat e drejtuesve të Gardës për të qëlluar mbi protestuesit.

Po kështu në letër thuhet se edhe Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar të pa zbardhur vrasjen e protestuesve dhe në të njëjtën kohë një sërë provash janë fshehur nga zyrtarët e lartë të kohës, përfshi ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, i cili sipas familjarëve duhet të meren në pyetje nga SPAK.

Aleks Nika është një nga 4 protestuesit që u vra nga plumbat e shtetit në protestën opozitës së atëhershme në 21 janar 2011.

Hetimet

Prej vitesh, Prokuroria e Tiranës e ka hapur e pezulluar disa herë hetimin për zbardhjen e dy vrasjeve, atë të Hekuran Dedës dhe të Aleks Nikës, por rezultatet kanë qenë vetëm në kuadrin e akuzave nga ana e qeverisë ndaj prokurorëve të kryeqytetit.

Dhe nga ana tjetër, ka pasur qëndrim prapësues nga organi i akuzës së Tiranës që insistoi së fundmi se po kryen hetime.

Megjithatë, veç dënimit të Ndrea Prendit dhe Agim Llupos për vrasjen e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit, fakt është që drejtësia në Shqipëri për më shumë se një dekadë ka dështuar të gjejë se kush i vrau Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë