Nga Gazeta ‘SI’ – Viti 2025 u mbyll me një ndjesi pesimizmi për konsumatorët dhe shumicën e bizneseve në Shqipëri, me përjashtim të sektorit të ndërtimit. Sipas Bankës së Shqipërisë, në muajin dhjetor treguesi i ndjesisë ekonomike shënoi një rënie prej 0.4 pikësh, duke reflektuar përkeqësimin e pritjeve në disa sektorë kryesorë të ekonomisë.
Në sektorin e shërbimeve, treguesi i besimit ra me 2.8 pikë përqindje në dhjetor, ndikuar nga vlerësime më pak optimiste për ecurinë aktuale të aktivitetit dhe për nivelin e kërkesës. Pritjet për punësimin u ulën, ndërsa pritjet për çmimet në të ardhmen u rritën.

Tek bizneset e industrisë, besimi ra lehtë me 0.2 p.p, i ndikuar nga pritjet më të ulëta për porositë nga eksportet. Pritjet për punësimin në të ardhmen u rritën, ndërsa çmimet e produkteve priten të mbeten pothuajse të pandryshuara.
Për tregtarët nuk kishte ndryshim, ndonëse presin kërkesë më të ulët. Ndërkohë, pritjet për ecurinë e biznesit dhe për çmimet në të ardhmen shënuan rënie.
As treguesi i besimit konsumator nuk ndryshoi por ata shfaqen më pak optimistë për situatën financiare dhe për blerje të mëdha. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për poshtë.
Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) shënoi një rritje të fortë prej 4.5 pikë përqindje, duke u pozicionuar 16.6 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Rritja u mbështet si nga përmirësimi i vlerësimeve për aktivitetin ndërtues, ashtu edhe nga rritja e porosive aktuale. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë rishikuar për lart.
Treguesi i besimit në ndërtim pati rritje me 4.5 pikë, mbështetur nga rritja e kërkesës. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë rishikuar për lart.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




