Një pyetje për kuicet e ardhshme: në cilin vit u mbajtën Lojërat Olimpike 2020, në Tokio? E thjeshtë; përgjigja është 2021. Po Expo 2020, në Dubai? Përgjigjja me vitin 2021 do të shënonte një pikë, por po kështu mund të ishte edhe 2022; ajo zgjat nga tetori në mars. Po Miss America 2020? Kjo është një pyetje me rreng. Ngjarja ndodhi në dhjetor 2019, para se koronavirusi të kthente botën përmbys. Ajo që është anuluar në fakt, është Miss America 2021.
Shumë ngjarje të tjera vjetore do të përpiqen, ta rinisin aty ku u ndalën, më 2019-n. Por organizatorët e ngjarjeve më pak të rregullta shpresojnë të shkojnë përpara me ato të shtyra nga 2020 dhe shpresojnë që bastvënësit të ringrenë mallin e vjetruar. Disa, të tilla si Euro 2020, një turne katërvjetor i futbollit, kanë ruajtur të njëjtin emër. UEFA, konfederata europiane e futbollit, thotë se kjo është “për të mbajtur vizionin origjinal të turneut” dhe për të “shërbyer si një kujtesë se si e gjithë familja e futbollit u bashkua”. Por pranon që “shumë materiale të branduara tashmë ishin prodhuar” Të njëjtat konsiderata pa dyshim zbatohen për Expo 2020 dhe Lojërat Olimpike 2020.
Një ndjenjë déjàvu-je ka zënë vend dhe 2021 nuk ka nisur ende. Në korrik të vitit 2019 Tokio mbajti një festë për të shënuar numërimin njëvjeçar të momentit të tij të madh Olimpik. Kishte fishekzjarrë, njerëz të famshëm dhe një zbulim të medaljeve që do të ndaheshin në lojërat e vitit të ardhshëm. Por e vetmja gjë që ndodhi 366 ditë më vonë ishte një ngjarje 15-minutëshe në një stadium të zbrazët për të shënuar, mirë, një vit tjetër për Lojërat Olimpike 2020. Quajeni atë si një përvojë që vjen dy herë në jetë.
Në kriket, Kupa e Botës Twenty20 për 2020 është zhvendosur në 2021, duke shkaktuar ankth për tifozët e riprodhimit gjuhësor kudo (Twenty20 është një formë e shkurtuar e lojës që përfshin 20 trajekore për secilën skuadër). Më keq akoma, origjinali 2020 Twenty20, i cili do të luhej në Australi, do të mbahet në Indi – ndërsa seria 2021, që do të luhet në Indi, do të ndodhë në Australi, në 2022. Është thuajse po aq konfuze, sa rregullat e kriketit. Pothuajse.
Muzika live është prekur gjithashtu. Në mesin e shumë yjeve që u është dashur të shtyjnë turnetë me një vit janë Pearl Jam, Green Day dhe Alanis Morissette, në turneun e saj të 25-vjetorit “Jagged Little Pill”. Sikur kalimi midis vitit 2020 dhe 2021 nuk ishte taksues sa duhet, është e çuditshme të kujtojmë se disa njerëz ende jetojnë në 1995-n. Ndërkohë, në Ishullin e Wight, një vend i çuditshëm i festave angleze dhe vendi i festivalit, “Përvoja e Festivalit 1970” u shty gjithashtu , duke dëshmuar se udhëtimi në kohë nuk funksionon siç duhet.
Nuk janë vetëm gjëra argëtuese që janë shtyrë për një datë të mëvonshme. Forumi i 2-të i Politikave Globale për Kujtesën e Botës, i cili ishte planifikuar fillimisht për në maj të vitit 2020, është shtyrë, askush nuk mund të thotë deri kur. Një konferencë ndërdisiplinore mbi “Përballjen me të Keqen”, e planifikuar për në Qershor 2020, është “nën rishikim”.
Pastaj është politika, e cila nuk ndalet kurrë. Londinezët të cilët kishin shpresuar të injoronin zgjedhjet për kryetar komune në vitin 2020, tani do të duhet të zgjasin apatinë e tyre për një vit tjetër. Qytetarët e Hong Kongut që po përgatiten të votojnë në zgjedhjet e këshillit legjislativ të qytetit do të kenë pasur një periudhë të vështirë prej afro 12 muajsh, për të ndarë mendjen e tyre. Dhe somalezët, pasi kanë kaluar 51 vjet pa zgjedhje të bazuara në ekskluzivitetin universal, do të duhet të presin edhe një vit.
Pa dyshim që viti 2020 do të mbahet mend kryesisht për fillimin e pandemisë covid-19. Megjithatë, edhe këtu, viti merr tkurrje. Ashtu si babai i munguar, kontributi i vetëm i të cilit është një natë përçimi materiali gjenetik dhe një mbiemër, 2019 shpëtoi nga pasojat, por la pas trashëgiminë e saj: covid-19 quhet kështu sepse u soll në vëmendjen e Organizatës Botërore të Shëndetit në ditën e fundit të atij viti.
Le ta provojmë përsëri
Edhe vetë emri i virusit evokon déjà vu. Më 2002-03 bota u përball me sindromën e rëndë të frymëmarrjes akute, ose SARS. Ajo ishte e kufizuar në më pak se 9,000 raste deri në 2004 dhe për fat të mirë nuk është dëgjuar më. Virusi që shkakton covid-19 është SARS-CoV-2 – një nga ato seri të dyta, aspak të pëlqyeshme në publik, që askush nuk i kërkoi.
Megjithatë, kjo gjithashtu ofron disa arsye për gëzim. Njerëzimi e ka mundur një koronavirus vdekjeprurës, një herë. Me siguri mund ta bëjë këtë përsëri, megjithëse me një buxhet më të madh dhe me më shumë dramë, siç ndodh me seritë e dyta të filmave. Nga të gjitha gjërat që do të përsëriten në 2021 – duke përfshirë, me shumë mundësi, anulimin ose shtyrjen e ngjarjeve që ishin vonuar tashmë nga viti 2020 – frenimi i koronavirusit është gjëja me të cilën të gjithë do të pajtoheshin, se është më mirë herën e dytë./ Leo Mirani, The Economist, Përshtati në shqip Gazeta Si/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




