Histori

20 vjet nga lumturimi i Nënë Terezës nga Papa Gjon Pali II

“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, jam murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, i përkas botës. Për nga zemra ime, i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj, ia përkushtoi të varfërve.

Si sot 20 vjet më parë, më 19 tetor 2003, Papa Gjon Pali II lumturoi Nënë Terezën e Kalkutës, proces që u finalizua me shenjtërimin e saj nga Vatikani, në 4 shtator 2016.

“Me autoritetin tim apostolik, ne garantojmë se shërbëtorja e nderuar Nënë Tereza e Kalkutës do të quhet e lumturuar tani e në vazhdim”, deklaroi atëherë Papa.

Anjeza Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi në vitin 1910 nga prindër shqiptarë.

Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18-vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e murgeshave, të quajtur “Misionarët e Bamirësisë”.

Nga ky moment, Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia kushtonte të varfërve. Urdhri i Nënë Terezës numëron mbi 4,000 misionarë dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës.

Nënë Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë, se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit.

Ajo udhëtonte për të kryer misionin e saj me një automjet gjysmë të shkatërruar. Kur Papa Pavli VI kryente një vizitë në Indi në 1964 i dhuroi asaj limuzinën e tij. Ajo e shiti atë për të siguruar fonde për koloninë e lebrozëve, të cilët i ndihmonte.

Liderë nga e gjithë bota e kanë vizituar atë. Ish-kryeministri i Indisë, Indira Gandi, pas takimit që bëri me të dha këtë koment:

“Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjën e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë”.

Ajo vazhdoi me vetëmohim të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qenie njerëzore të lindur apo jo.

Nënë Tereza mbylli sytë përgjithmonë më 5 shtator 1997.

Por Nënë Tereza vazhdon të jetojë mes nesh përmes frazave, thënieve, aforizmave që na çojnë drejt dashurisë absolute.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë