Njerez

20-vjeçarja me sindromën down: Ëndërra ime, të jem artiste

“Unë dua të këndoj, të bëhem këngëtare”, kjo është e përgjigjia e Arjana Bekteshit, vajza me sindromën down nga Shkodra, teksa e pyet cila është dëshira e saj që do ta realizojë.
Sytë e qeshur bojëqielli dhe shtati jo i zhvilluar për moshën e bëjnë të duket ende fëmi, por   i lumtur.
Për pak muaj, në shkurt i bën të njëzetat, por Arjana u thotë të gjithëve se ajo ndjehet që tani 20 vjeç. Duket që mezi pret të rritet, të realizojë dëshirat.

Arjola gjatë provave për rolin e teto Ollgës për shfaqjen teatrore “Zonja nga qyteti”



Fatmira, nëna e Arjanës, tregon për gazetën “SI” se nuk ka qenë e lehtë rritja e një fëmije me një sëmundje që në fillim pak e njihnin. “Isha e re dhe ardhja e një fëmije për çdo nënë është lumturi por nuk e dija se rruga për rritjen e saj do të ishte kaq e vështirë”, thotë ajo .
Paragjykimi filloi që në familje. Ajo u divorcua shpejt dhe jeta iu bë edhe më e vështirë, e vetme me një fëmijë me sindromën down.
“Arjana është fëmija im i vetëm, unë ia kushtova jetën. Është diçka që nuk e zgjedhim ne por duhet ta pranojmë. Mësova për sëmundjen e saj dhe u përpoqa të jem në kontakt me organizatat që luftojnë për të drejtat e personave me sindromën down”, rrëfen për “SI”, Fatmira Lekiçi.
Me nisjen e shkollës, vajza e vogël u përball me stigmën e shoqërisë dhe kjo e detyroi Fatmirën ta regjistronte në shkollë private që menaxhohej nga motrat jezuite në Shkodër ku mbaroi arsimin bazë.
“Gjithë jetën e kam mbajtur pranë. Punoj në bibliotekë dhe vajza ime është rritur mes librave por dorën nuk ja kam lëshuar kurrë”, thotë Fatmira, e teksa e sheh dallon qartë ngjasimin me Arjanën nga buzëqeshja e pastër.
Me ndryshimet ligjore ku  gjithëpërfshirja sot është detyrim ligjor, gjërat kanë ndryshuar por për nënën e re fillimet kanë qenë të vështira.


Ndryshe nga moshataret e saj, Arjana u detyrua të regjistrohej në shkollë private, tek qendra e jezuitëve sepse në shkollë ishte e vështirë të vazhdonte.
Sot, falë këmbënguljes së nënës, Arjana sapo ka nisur shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja në Shkodër të cilën e ka pranë shtëpisë ku studion me program të veçantë.
Por cila do të jetë e ardhmja e Arjanës?
Fatmira thotë se personat me sindromën down duhet të përkrahen dhe të pranohen.
Vetë Arjana tregon se mund të punojë pas mbarimit të shkollës në shërbime, si kamariere, shitëse apo recepsioniste në hotel pasi gjuhët e huaja mund ta ndihmojnë.
Por a është e lehtë?
“Këta kanë një botë të tyre ndryshe nga të tjerët dhe kanë nevojë të kuptohen. Unë besoj se vajza ime ka mundësi për t’u aftësuar, falë dhe mbështetjes së organizmave ndërkombëtare”, thotë Fatmira.
Arjana e ndjen se akoma në qytet e shohin ndryshe. Megjithëse është natyrë e shkathët, e zonja të kryejë vetë gjërat, shkon dhe kthehet vetë, përsëri ka nevojë për dorën e ngrohtë jo vetëm të nënës së saj.
“Arjana nuk shoqërohet shpejt me të tjerët, por është e dashur. Ajo ka nevojë të ndjejë dashurinë e pranimin nga shoqëria. Ajo çfarë kam mësuar gjatë këtyre viteve, është se fëmijët me sindromën down është e vështirë ti kuptosh por shumë e lehtë ti mbështetësh”, thotë Fatmira Lekiçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë