Trend

20 vjeçarët shqiptarë kanë shtuar blerjet e floririt

Qostekët e floririt, orët e florinjta me zinxhirë që mbanin burrat e zamanit, napolonët e floririt dikur tregonin status dhe pasuri të atyre që i zotëronin. Asokohe, pas Luftës së Dytë Botërore vijonin ende pagesat me napolon floriri, por edhe prindërit ose vjehërrit investonin në lënien e trashëgimisë fëmijëve ose nuseve në bizhuteri ari.

Sot për kushtet e papërshtatshme ekonomike, për shtresën nga e mesme e poshtë në Shqipëri blihen kryesisht bizhuteri ari në 14 karat.

Në kohën e sotme shqiptarët e blejnë arin si stoli, jo si investim.

Këtë e pohon Lauren Bekteshi në profesion krijuese në Digital Marketing & E-commerce, njëherazi menaxhere në një nga argjendaritë e Tiranës.

Në një bisedë për tregun e floririt në Shqipëri, Bekteshi tregon se edhe ky treg është tronditur nga dy krizat botërore; pandemia dhe lufta Rusi-Ukrainë të cilat kanë shkaktuar rritjen e menjëhershme dhe të madhe të floririt.

“Pandemia padyshim ka qenë e egër në raportin final me çmimin e floririt. Në Mars 2020, çmimi i floririt u rrit dhe në Gusht 2020 pati pikun e tij me 2074 dollar për oz. Goditja vazhdon akoma sot. Mungesa e stabilitetit ndikon menjëherë në çmimin e floririt.”- shpjegon Bekteshi.

Në Shqipëri grami i floririt sot varion nga 5,200 lek në 6,500 lek (14K); 7,500 lek (18K). Ndërsa 24 karat, shpjegon menaxherja Bekteshi, është tjetër çështje.

Sipas Bekteshit, çmimet në Shqipëri (por, dhe kudo tjetër), janë referencë e bursës së floririt; ndikohet çmimi nga të gjithë elementët por mbi të gjitha çmimi i floririt në treg ndërkombëtar është i lidhur ngusht me  çmimin e dollarit Amerikan.

Mandej, vijon sqarimin Bekteshi. ka dyqane që vendosin ekstrem çmimet (të ulta/të larta) të cilët me pak logjikë njerëzit mund të arrijnë vetë në konkluzione të shëndetshme për zgjedhjet që bëjnë.

Blerësit më të mëdhenj në botë të floririt  janë Kina, India Zvicra e Britania e Madhe. Shqipëria është importuese kryesisht nga Turqia dhe Italia dhe blerjet janë të përqëndruara më shumë  tek floriri 14 karat (585 ose 58.5% flori i pastër.

Fakti që ne importojmë vetëm nga Italia dhe Turqia floririn, menaxherja Bekteshi e lidh me mundësinë e pagesës dher distancat gjeografike “ Në raport me Indinë ne  nuk I jemi I afruar si tregje kjo për arsye se trendi i tyre orientohet tek 21.6 karati në fashion jewelry.”

"Në kohën e sotme shqiptarët e blejnë arin si stoli, jo si investim thotë Lauren Bekteshi në profesion krijuese në Digital Marketing & E-commerce, njëherazi menaxhere në një nga argjendaritë e Tiranës.

Bekteshi nënvizon se sot një përqindje e madhe e shqiptarëve blen flori si stoli, për modë, por “tek po kjo kategori nëse do zbulojmë arsyet e blerjeve të vërteta janë forma investimi (paja e floririt të fejesës që vazhdon akoma të jetë dominante sidomos për zonat rurale); blerja e monedhave 21.6 karat si Sterlina angleze apo Napoloni francez të cilat përdoren dhe për fashion, në fund të ditës janë investime. Në këtë aspekt floriri mbetet gjithmonë një investim i rëndësishëm, pavarësisht përdorimit. Në periudha recensioni apo të paqendrueshme ekonomike, shpesh investitorët paratë i këmbejnë në flori duke i mbajtur si asete të sigurta përkundrejt inflacionit.”

Për sa I përket kategorive dhe profileve të personave që blejnë flori, Bekteshi shpjegon se janë të rinjtë 20-25 vjeç që kanë rritur ndjeshëm fuqinë blerëse si volum blerjeje. “Si duket, vende të reja pune apo paga më të larta kanë rritur standartin e jetesës. Ndërsa 25-45 vjeç është kategoria e cila vazhdon të jetë dominante. Mesatarja është e vështirë të gjendet në një treg me kërkesa të ndryshme për aksesorët e floririt. Di të them që blerjet nisin nga 150 euro e lart. Sot përqindja më e madhe nisin të bëjnë një dhuratë kolegëve, miqve, motrës etj.”

Sipas Bekteshit, varëset dhe vathët janë aksesorët më të preferuar. Ndoshta, shpjegon ajo, sepse janë dhe më praktike si zgjedhje në blerje. “Unaza është impenjative; duhet masa e duhur dhe vendimarrja për shkak të shijes e ndërlikon zgjedhjen pak në kohë. Preferojnë shumë personalizimet në unaza dhe varëse (emër, shenja horoskopi, ikona, pllaka).

Bekteshi thekson se në përgjithësi, shijet janë më të kultivuara se 10 vite më parë. Ky është një progress, shpjegon ajo, që i bën bizneset të zhvillohen e të ecin përpara dhe të ofrojnë larmi produktesh. E gjitha është marrëdhenie dy-palëshe që ndikon.

Bekteshi mendon që 5 vitet e ardhshme tregun e floririt do ta përshkojnë nota pasigurie. “Kam lexuar disa nga raportet e viteve të fundit, dhe analistët më të mirë kanë nota pasigurie për 5 vite e ardhshme. Por, do të këshilloj ato që lexojnë dhe duan të kuptojnë se Floriri është investimi më i mirë. Ose një nga më të mirët të paktën. Në periudha pasigurie, të ardhurat tuaja ruhen mirë në asete floriri. Çmimi i tij ka ardhur gjithmonë në rritje, dhe kështu do vazhdojë edhe pse me hapa më të ngadaltë se 3 vitet e fundit.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë