Për gjatë një jave në Shqipëri kemi minimalisht 2 të vdekur në ditë nga Covid-19. Edhe gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur dy të infektuar. Eugena Tomini nga ISHP, thotë se situata është shqetësuese. Një paciente 78 vjeçare nga Tirana e transferuar nga një spital jo publik ka ndërruar jetë në Spitalin Infektiv dhe një 83 vjeçar nga Durrësi që vuante nga hipertensioni.
Tomimi theksoi se janë shtuar pacientët në spitalin infektiv.
“Aktualisht janë 84 të shtruar në Spitalin Infektiv, 111 prej tyre janë në terapi intensive dhe 2 të intubuar. 54 qytetarë janë të shëruar dhe numri total i të shëruarve janë 1438 që nga fillimi i epidemisë”, tha ajo. Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 64 raste të reja me Covid-19. Ndërsa shpërndarja e rasteve pozitive është 15 në Tiranë, 11 në Shkodër, 7 në Durrës, 4 raste në Lezhe nga 2 raste përkatësisht në Pukë dhe Kukës, 2 raste në Kurbin dhe nga 1 rast në Korçë, Elbasan, Mat Pogradec, Vlorë.
“Prandaj u drejtohemi si çdo ditë, qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën dhe të zbatojnë masat e vendosura, të mbajnë maskën kudo ku nuk është e mundur të ruhet distancimi fizik, kurse bizneset të zbatojnë protokollet e miratuara, për të ruajtur punonjësit por edhe qytetarët të cilëve u shërbejnë”, iu drejtua qytetarëve Eugena Tomini.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i ben thirrje qytetareve “për t’u treguar të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrengimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës personale”.
Sipas eksperteve, mbajtja e maskës “është domosdoshmëri për të parandaluar përhapjen e infeksionit në ato ambiente ku nuk ruani dot distancën”.
“Biznese, bar, kafe, restorante, zbatoni me rigorozitet protokollet higjieno-sanitare të sigurisë. Kryeni shërbimin vetëm në ambientet e hapura dhe jo të mbyllura, duke respektuar distancimin fizik sipas udhëzimit të autoriteteve shëndetësore. Të nderuar qytetarë evitoni festat apo ceremonitë me më shumë se 10 persona në këto ambiente, dhe për më tepër duhet të jenë të rrethit të ngushtë familjar”, apelon Ministria e Shëndetësisë.
Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid-19.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




