Nga Gazeta 'Si'- Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht 2 mijë trupa ushtarake në Siri. Lajmin e ka bërë të ditur zyra e shtypit e Pentagonit, e cila hedh poshtë përllogaritjet e mediave ndërkombëtare të cilat flisnin për afro 900 trupa.
Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes në një konferencë shtypi theksoi se, trupat e SHBA-së janë të gjithë në Siri dhe do të kenë një mandat të kufizuar. Trupat amerikane kanë si qëllim luftën ndaj ISIS.
"Transferimi i autoritetit në Siri, mund të shoqërohet me përplasje. Si rrjedhojë kemi trupa atje. Numri i përgjithshëm i forcave të dislokuara zyrtarisht në Siri është 900. Pra, në vetvete, për sa i përket numrave shtesë, siç e dini, me kalimin e viteve mund të luhatet, duke pasur parasysh situatën aktuale në Siri. 2 mijë trupat janë të gjithë në Siri për të luftuar ISIS-in”, tha Major Pat Ryder, Gjeneral i Pentagonit.
Sakaq, Joe Biden ka autorizuar dërgimin e diplomates së lartë në Damask për t'u takuar me Abu Mohammed al-Jolani, udhëheqësin e rebelëve islamikë që rrëzuan diktatorin e Sirisë Bashar al-Assad, por që janë cilësuar si një grup terrorist nga SHBA.
Barbara Leaf, zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit për Lindjen e Mesme, do të udhëheqë delegacionin në ditët në vijim, thekson Financial Times. Takimi do të ishte kontakti i parë zyrtar personal midis SHBA-së dhe udhëheqësve të Hayat Tahrir al-Sham, i cili udhëhoqi ofensivën që rrëzoi Asadin dy javë më parë pas një ofensive të rrufeshme kundër regjimit.
Kjo vizitë e planifikuar në SHBA vjen pasi Jolani, i cili tani përdor emrin e tij të lindjes Ahmed al-Sharea, u kërkon vendeve perëndimore të heqin sanksionet ndaj Sirisë dhe Uashingtoni përpiqet të parandalojë grupet terroriste, përfshirë ISIS-in, duke përfituar nga vakumi i pushtetit i mbetur pas rënies së Asadit.
Zyrtarët amerikanë thonë se do të konsiderojnë heqjen e përcaktimit terrorist të HTS, i cili ka qenë në fuqi që nga viti 2018, dhe sanksionet ndaj shtetit sirian nëse grupi provon angazhimin e tij për sundimin "gjithëpërfshirës" dhe ruajtjen e stabilitetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.