Nga Gazeta Si - Ish-zyrtarja e lartë e Kryeministrisë, Alda Klosi, e arrestuar mbrëmjen e së premtes, është shtruar në spital.
Mësohet se Klosi ka shfaqur probleme shëndetësore në paraburgim, dhe më pas është transportuar në spital.
Ndërkohë, ditën e nesërme pritet që ish-zyrtarja e akuzuar pastrim parash dhe deklarata të rreme, të dalë para Gjykatës.
Grabitja në banesën e Alda Klosit, bëri bujë për shkak të shumës së lartë të parave për të cilën bëhej fjalë.
Rozeta dhe Havier Dobin, nënë e bir u akuzuan për vjedhjen e sasive të mëdha të parave në banesën e ish-zyrtares, Klosi, prej më shumë se 120 mijë eurove, por pas një kontrolli të dytë në banesën e Rozeta Dobit e cila prej vitesh punonte si pastruese u zbuluan 404 mijë euro të tjera, duke shkaktuar një valë reagimesh.
Ndërkohë, mbrëmjen e të premtes (03.02.2023), u bë arrestimi i Alda Klosit, pas dëshmisë prej disa orësh të dhënë nga pastruesja Rozeta Dobi.
Dobi deklaroi se edhe shuma tjetër e parave e gjetur në tubin e aspirimit në banesë, i përkisnin Alda Klosit.
Rozeta Dobi që akuzohet për vjedhjen e 120 mijë eurove, pranoi të bashkëpunojë me policinë, duke i dorëzuar drejtësisë Alda Klosin.
Dobi tregoi me detaje gjithçka që prej nisjes së punës për Klosin deri tek arrestimi.
Ish-zyrtarja e Kryeministrisë akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe deklarim të rremë para oficerit të policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.