Nga Gazeta “SI”- Panajoti është një djalë 19-vjeçar, i cili pasion të madh të jetës së tij ka gatimin. Ai sapo ka mbaruar studimet në shkollën profesionale “Hoteleri-Turizëm” dhe po përgatitet për studimet e larta. Ka zgjedhur degën e menaxhimit, me idenë se një ditë do të ketë restorantin e tij, të cilin, përveçse ta bëjë të njohur për gatimet, të dijë edhe ta menaxhojë në mënyrën sa më të mirë.
Pjesëmarrës në disa konkurse ndërkombëtare të kuzhinës, i vlerësuar madje edhe me çmim të parë, Panajoti si synim të radhës ka pjesëmarrjen në kampionatin botëror të kuzhinës në Kroaci, njohur nga “World Chef’s”.
Për GazetaSi.al ai rrëfen se si lindi pasioni për kuzhinën dhe si u konkretizua hap pas hapi, duke arritur në këtë stad, ku vetëm 19 vjeç, ai ka disa diploma ndërkombëtare dhe eksperienca të shumta nëpër restorantet më të mira.

“Pasioni për kuzhinën lindi që i vogël. Shihja mamin duke gatuar, kur më merrte dhe i hidhja kripë gjellës. Pastaj përkushtimi, interesi për këtë profesion, të gjitha bashkë u bënë dhe unë zgjodha të bëhem kuzhinier.
Mbasi mbarova shkollën 9-vjeçare, fillova shkollën profesionale të kuzhinës dhe aty u konsolidua dëshira për të qenë një kuzhinier i ardhshëm. Kjo për arsye se edhe mësueset më ndihmonin, edhe gjërat u bënë më të prekshme.” – thotë Panajoti.
Ai kujton se pjata e tij e parë e gatuar në shkollë ka qenë një fileto pule, e zbukuruar dhe e gatuar me shumë kujdes, por shton se pastat janë ato të cilat i preferon më shumë.
“Gatimi im i parë ka qenë në shkollë, mbaj mend një pjatë me fileto pule. Pastaj, pas mbarimit të vitit të parë, shkova dhe punova në Sarandë gjatë sezonit veror, ku edhe mësova teknikat e kuzhinës, metodat e sjelljes në kuzhinë, marrëdhënien me stafin etj.

Receta ime e preferuar që unë i gatuaj shpesh janë pastat. Janë edhe peshku dhe prodhimet e detit, por pastat mbeten gatimet e mia që i dua më shumë. Cacio & Pepe është pastë italiane, një nga tre pastat e Romës që më pëlqen më shumë nga të gjitha.”
Por Panajoti, si një i ri ambicioz, nuk ka dashur që profesionin e tij ta ushtronte vetëm brenda disa mureve me avull dhe aroma gatimesh. Ambicia e tij për të marrë pjesë në konkurse dhe për të prezantuar punën e tij, e kanë shtyrë të bëhet pjesë e disa konkurseve ndërkombëtare të kuzhinës, nga Tirana, në Greqi dhe Kroaci.
“Konkursi im i parë ku kam marrë pjesë ka qenë “Albanian Skills” i organizuar te Piramida e Tiranës, ku në juri ishin shefat më të mirë shqiptarë. Aty u vlerësova me çertifikatën e parë të aftësisë.
Pastaj mora pjesë në konkursin “Mediterranean” në Greqi, ku ishim tre veta dhe do bënim një kurs të plotë, pra pjatën e parë, të dytën dhe ëmbëlsirën. U paraqitëm mirë duke fituar edhe një çmim atje.

Më pas kam marrë pjesë edhe në një konkurs tjetër individual në Kroaci, ku baza e konkursit ishte mishi. Aty për herë të parë kam realizuar një pjatë pa e gatuar kurrë më parë. Realizova një pjatë ku miksohej fileto e viçit me mëlçi pate dhe, të them të drejtën, të gjithë u habitën. U vlerësova për “mise en place” (parapërgatitja e lëndëve të para), të cilën e kisha shumë të rregullt. Aty u vlerësova me vendin e parë.”
Edhe pse në moshë të re, ai ka përvojë pune të admirueshme në disa restorante të njohura.
“Kam punuar në restorante shumë të mira dhe kam mbi pesë vite përvojë pune sezonale. Madje këtë verë punova në një restorant shumë të mirë ku mora përsipër një sektor ta bëj vetë.”
Por si çdo i ri, edhe Panajoti thotë se teknologjia është një tjetër pasion i tij, të cilin sigurisht e vë në shërbim të profesionit të tij, atij të kuzhinierit.

“Kam dy faqe Instagrami, njërën personale dhe tjetrën në lidhje me kuzhinën, ku unë publikoj shpesh receta, gatime dhe evente ku marr pjesë.”- thotë ai.
Në fund Panajoti na rrëfen edhe për konkursin e radhës, i cili për të ka shumë rëndësi pasi mund t’i hapë shumë dyer. E gjithashtu rrëfen edhe synimin e tij kryesor: të jetë një menaxher i mirë në biznesin e tij, të cilin synon ta hapë një ditë.
“Së shpejti do të marr pjesë në kampionatin botëror që njihet nga World Chefs, i cili njihet në tërë botën, ku mblidhen përfaqësues nga 24 vende. Me diplomën e asaj gare mund të arrish shumë gjëra, sepse njihet kudo. Unë atje do të prezantohem me fileton e rosës, një pjatë e cila nuk më ka zhgënjyer kurrë. Shpresoj shumë të fitoj atje dhe të arrij të bëhem një shef dhe menaxher i suksesshëm. Në synimet e mia është edhe ta provoj një herë jashtë, të punoj andej në mënyrë që të marr më shumë përvojë dhe eksperiencë kuzhine.”

Panajoti është një nga të rinjtë në këtë vend i cili ka të qarta idetë e tij. Jashtë bisedës për gazetën, ai tregon edhe vështirësitë që shpesh has në marrëdhënie me punëdhënësit, të cilët, duke parë moshën e tij të re, shpesh nuk e marrin seriozisht. Por ai shton me buzëqeshje se gjithçka që ndodh është përvojë e cila do t’i vlejë në një të ardhme. Më e rëndësishmja është se Panajoti e ka shumë të qartë se në ç’stad është dhe se ku do të arrijë: të jetë një kuzhinier i cili do të lërë gjurmë në fushën e gastronomisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



