Libra

18 vjet Panairi i Librit në Ulqin –  Nga koha kur cilësohej herezi politike,  te hapësira për diversitetin kulturor  

Suadela Balliu - Si çdo vit, shëtitorja pranë plazhit të vogël në Ulqin, bëhet shtëpizë e qindra titujve të librave që vijnë nga Tirana, Prishtina, Shkupi e Gostivari për t’iu prezantuar lexuesit, në Panairin e Librit, i cili organizohet për të tetëmbëdhjetin vit, në të njëjtën periudhë; atë të pikut të  sezonit turistik. Gjithë ngjan me një festë ku përzihen bashkë turizmi-  në një kohë kur brigjet e Malit të Zi janë shndërruar në destinacion të preferuar dhe të frekuentuar nga turistë ndërkombëtarë- dhe letërsia, ajo e një komuniteti të rëndësishëm  etnik e kulturor si ai shqiptar.

Por tetëmbëdhjetë vjet të shkuar, kur organizohej i pari panair me nismën e shtëpisë botuese “Toena” dhe “Institutit të Librit dhe Promocionit” , librat që transportoheshin për t’u ekspozuar në stenda, u mbajtën për tri ditë nën kontrollin kufitar dhe vetëm pas tri ditëve mundën ta kalonin traun.

“Tanimë janë krijuar të gjitha kushtet për organizimin normal të panairit, ndërkohë  që 18 vjet më parë, shumëkujt i dukej e pamundur, madje, siç më tregonte Fatmir Toçi, kishte nga ata që e konsideronin herezi politike të organizoje një panair libri, ku do mblidheshin vepra të shkrimtarëve shqiptarë nga të gjitha trevat” – tregon Namik Dokle,i ftuar i veçantë i edicionit të 18-të të Panairit të Librit në Ulqin. Për shkrimtarin,   pjesëmarrja në këtë aktivitet që organizohet në qytetin me histori 2500-vjeçare, ishte njëherazi kënaqësi dhe surprizë.

Dokle me Irena e Fatmir Toçi.

 ““Pse pikërisht në  sezon veror?”, pyesni ju. Ndoshta kjo e bën edhe më interesant. Po te perifrazoja titullin e veprës së  shquar të  Hemiguejit “Plaku dhe deti”, këtë panair do ta quaja “Libri dhe deti”.” –vijon  Dokle.

Përse të mos gjejnë edhe librin ata mijëra pushues që vijnë për detin?! 

“Kalojnë disa ditë të bukura të rrethuar nga binomi natyrë-kulturë, det-libër, hare rinore-mençuri veprash të shquara.”

Dokle zbulon se sipas tij organizatorët i kishin marrë të  gjitha masat që libri “të ndihej mirë” në qytetin me histori dhe kulturë mijëravjeçare.

“Mund të  gjeje pranë e pranë kështjellën e famshme, kullën e Balshajve, pallatin venecian apo bustin dhe sallën e Migel de Servantesit, që mendohet të ketë qenë në Ulqin.”

Lexuesit ulqinak, Namik Dokle iu paraqit me dy romanet e tij të fundit “Lulet e Skajbotës” dhe “Vajzat e Mjegullës.

“Takova shume lexues te interesuar për librin, me dëshirë  të madhe për t’u njohur me të rejat e letërsisë së  shkruar në gjuhen shqipe, për të  njohur nga afër autorët. Disa prej tyre, sidomos kosovare të emigruar në  Perëndim, surprizoheshin dhe më thoshin:  “Ah, ne e dinim se merreshe vetëm me politikë!”  “Politika është e përkohshme, kultura e përhershme”,  u thosha.”- tregon shkrimtari, ndërsa veçon edhe atmosferën e bisedave mbrëmësore me lexues, gazetarë e dashamirë të librit.

“Natyrisht, libri nuk bën zhurmën e grumbullimeve të  mëdha “party” në  qytetet bregdetare, por ka jehonë të brendshme që zgjat për shumë kohë”.

Pas njohjes me këtë përvojë, përfundon Dokle, lind pyetja se përse nuk organizohen ngjarje të tilla edhe në qytetet bregdetare të Shqipërisë.

Nëse e kane mendjen vetëm te kulinaria, mire është t’u tregojmë  se të  gjitha shtëpitë tona botuese publikojnë edhe libra të tille. Por njerëzit kanë nevojë për më  shumë.”- përfundon Dokle.

Të rinjtë ulqinakë që  arsimohen në Shqipëri, të interesuar për letërsinë artistike

“U telefonova disa studentëve të mi në Master, të cilët jetojnë në Ulqin, për t’i njoftuar rreth Panairit. Ata njoftuan miq të tyre dhe kështu u gjendën në stenda” –rrëfen  Ylljet Aliçka, pjesëmarrës në edicionin e 18-të të Panairit të Librit në Ulqin.

Që kjo ngjarje kushtuar librit bëhet urë për të rinjtë me letërsinë, e pohon edhe Irena Toçi, drejtore e shtëpisë botuese  “Toena” dhe “Institutit të Librit dhe Promocionit”,  që për afro dy dekada organizon këtë aktivitet që bën bashkë botën shqipfolëse, letërsinë e shkruar shqip dhe për thuajse një javë e shndërron turistin në konsumator të librit.

“Pjesa më  e madhe  e të  rinjve ulqinakë , në breza,  shkollohen në  gjuhën shqipe dhe vazhdojnë studimet e larta në Prishtine, në Shkodër apo në Tiranë. Ky panair u sjell atyre librin artistik më pranë.” –thotë  Toçi, ndërsa shton se edhe koha e organizimit në datat  3 deri 8 gusht, nuk është i paqëllimtë.

“Në  këtë moment numri i pushuesve e ka rritur disafish numrin e qytetarëve që gjenden këtu dhe që,  për rrjedhim,  janë konsumatore potencialë  edhe të librit. Atmosfera është e bukur dhe festive çdo mbrëmje.”

Sipas Irena Toçit, kjo traditë që nisi në fillim të këtij shekulli si nismë për të sjellë shqiptarët në rajon më pranë, gjatë viteve e ktheu në mision thelbësor bashkëpunimin rajonal.

Gjatë çeljes së edicionit të 18-të Panairit në Ulqin.

“Prania e ministrit të Kulturës së Malit të Zi, i cili erdhi enkas nga Podgorica për këtë aktivitet,  tregonte rëndësinë që i kishin dhënë politikisht  dhe kulturalisht kësaj ngjarjeje.” – shton shkrimtari Ylljet Aliçka, i impresionuar nga hapësira që shteti fqinj i kishte lënë diversitetit kulturor, minoriteteve dhe letërsisë shqipe në këtë rast. “Gjë që është e rrallë në Ballkan” – shton Aliçka.

Përfaqësues të tjerë zyrtarë në këtë ngjarje, veç ministrit malazez të  Kulturës, Aleksandar Bogdanoviç, ishin zëvendësministri i Turizmit dhe i Mjedisit të Shqipërisë, Hajrullah Çeku

kryetari i komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, bashkorganizator i këtij panairi të librit, ndërsa të ftuar specialë ishin shkrimtari shqiptar Namik Dokle dhe ai malazez  Pavle Goranoviëc.

Ky edicion i 18-të numëron 45 botues shqiptarë nga  Tirana, Shkodra, Ulqini, Podgorica, Prishtina, Shkupi, Tetova e Gostivari, të cilët prezantohen me botimet e këtij viti.

Sipas organizatorëve ky panair veror – një përzierje mes turizmit dhe letërsisë -  është i krahasueshëm për nga rëndësia me Panairin e Tiranës, Prishtinës, Beogradit, Podgoricës apo Shkupit.

Ajo që vihej re ishte edhe prania e turistëve të huaj, të cilët ndaleshin në stenda  duke lexuar titujt. “. Kishte edhe turistë serbë që ndaleshin përpara  stendave.” – zbulon Aliçka, ndërsa shton se letërsia e re shqipe është ende pak e njohur jashtë kufijve, ndërsa autorët që njihen më së shumti janë Rexhep Qosja apo Ismail Kadare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë