Drejtësia

15 vite nga ’21 Janari’, vendimi i Strasburgut dhe ku kanë ngecur hetimet e SPAK

Gazeta Si – Këtë të mërkurë, 21 janar 2026, mbushen 15 vjet nga vrasja e 4 protestuesve në 21 janar 2011 gjatë një proteste të opozitës së atëhershme para kryeministrisë, kur vendi qeverisej nga Sali Berisha.

Katër viktimat u shpallën Dëshmorë të Atdheut, ndërsa familjarët presin ende drejtësi. Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, janë katër protestuesit e vrarë 15 vite më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në korrik të 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për “21 Janarin”, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës. Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.

Dënimet

Për 2 nga 4 të vrarët e 21 janarit 2011 në Bulevard nga drejtësia shqiptare, është dhënë një dënim me 1 vit burg për Ndrea Prendin dhe 3 vite burg për ish-gardistin, Agim Llupo, të fajësuar për “vrasje nga pakujdesia”.

Ndërsa pas një vendimi të Gjykatës së Strasburgut ku thuhet se autoritetet shqiptare duhet të identifikojnë dhe ndëshkojnë përgjegjësit për vrasjen e një tjetër protestuesi, Aleks Nikës, SPAK ka rihapur çështjen.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka kritikuar drejtësinë shqiptare për ngadalësinë me të cilën po trajton çështjen e “21 Janarit.

“15-vjetori i një krimi shtetëror të pashembullt në historinë e demokracisë së re shqiptare, kur katër të vrarë ende nuk prehen dot në paqe”, shkruan Rama në mesazhin e tij në Facebook. “Drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë”, shtoi ai, por tha se ishte i bindur që do të bëhet drejtësi.

Hetimet e SPAK

Që nga nisja e hetimeve, SPAK ka marrë në pyetje një sërë ish-zyrtarësh të lartë të shtetit që ishin në detyrë në kohën e ngjarjes.

Para prokurorëve janë paraqitur ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, si dhe ish-presidenti Ilir Meta, i cili është marrë në pyetje me kërkesë të tij.

Ish-kryeministri Sali Berisha, po ashtu, pas një përpjekjeje për të shtyrë dëshminë e tij, duke luajtur me faktin se nuk kishte marrë asnjë kërkesë, u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, më 19 nëntor të vitit të kaluar.

Ai nuk dha asnjë detaj mbi pyetjet që i ishin drejtuar, por për fshirjen e serverave të kryeministrisë, u shpreh.

“Kryeministria nuk ka pasur si kryeministri asnjë lloj serveri për vëzhgimin. Nëse Garda ka patur serverin aty, është punë tjetër”, tha ai.

Në kuadër të hetimit janë pyetur edhe drejtues të zinxhirit komandues të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, mes tyre ish-drejtori i Policisë, Hysni Burgaj, ish-zëvendësi i tij, Agron Kuliçaj.

Më herët, SPAK ka marrë dëshmi edhe nga organizatorët e protestës dhe zyrtarë të tjerë, përfshirë Saimir Tahiri, ish deputetin Arben Çuko dhe Xhemal Qefalinë.

Audio-regjistrimi

Një nga provat e reja kyçe në hetim është një audio-regjistrim rreth 34 minuta, dorëzuar nga familja e Aleks Nikës, ku dëgjohen komunikime radio të zinxhirit komandues të Gardës së Republikës gjatë momenteve kritike të protestës.

Në regjistrim, sipas burimeve, dëgjohet ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, duke dhënë urdhër për përdorimin e plumbave të vërtetë, dhe jo municion manovër, ndaj protestuesve.

SPAK ka bërë të ditur se laboratorët kriminalistikë në Shqipëri nuk kanë kapacitete teknike për ekspertimin e plotë të kësaj prove, ndaj audio-regjistrimi është dërguar për ekspertizë në laboratorë jashtë vendit.

Paralelisht, prokuroria u ka kërkuar familjarëve të Aleks Nikës të sqarojnë mënyrën se si është siguruar regjistrimi, të dorëzojnë pajisjen origjinale me të cilën është realizuar, si dhe të tregojnë burimin se kush ua kishte dhënë audion

Prej dy vitesh, ndërsa çështja e vrasjes së Aleks Nikës, ishte në duart e Prokurorisë së Tiranës, plumbi që i mori jetën, në anën tjetër të bulevardit, larg godinës së qeverisë, është dërguar në Itali për ekspertizë.

Ndërkohë, SPAK po punon edhe me prova shkresore dhe dëshmi të tjera, për të verifikuar nëse ka pasur një urdhër politik për kalimin nga plumbat manovër në plumba luftarakë dhe nëse pas ngjarjes ka pasur veprime të qëllimshme për pengimin dhe devijimin e hetimeve, siç dhe Gjykata europiane dyshon hapur se ka ndodhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë