Politike

13 vende anëtare thonë se BE-ja duhet t’i dërgojë vaksina Ballkanit

Bashkimi Europian duhet të dërgojë vaksina të koronavirusit te fqinjët e tij në Ballkan dhe të bëjë më shumë për ta luftuar virusin në Ukrainë, kanë thënë ministrat e Jashtëm të 13 shteteve anëtare të BE-së në një letër të përbashkët drejtuar të mërkurën organit ekzekutiv të bllokut.

Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Suedia thanë se BE-ja nuk do të jetë e sigurt nga COVID-19 derisa edhe vendet në kufijtë e saj të mund të shërohen nga pandemia, raporton Reuters.

“Mbështesim fuqishëm përpjekjet dhe iniciativat nga shtetet anëtare dhe Komisioni Evropian për të ndarë vaksina nga kontratat e nënshkruara me fqinjët më të afërt të BE-së, siç janë vendet e Ballkanit Perëndimor”, thanë ministrat në letrën e 6 janarit, e cila u bë publike.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, tha ndaras se është “detyrë e jona të shtrijmë dorën e ndihmës për partnerët tanë të BE-së në lindje, në Ballkanin Perëndimor dhe në rajonet tjera”.

Vendet e BE-së nisën aksionin për vaksinim masiv për COVID-19 më 27 dhjetor, por vendet e Ballkanit – më të varfra se shtetet anëtare të BE-së – nuk kanë qenë në gjendje të negociojnë qasjen në vaksinat për COVID-19 me prodhuesit e barnave. Qeveri tjera fqinjësore nuk kanë ndonjë afat të qartë se kur do të nisin programet e tyre të vaksinimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë