Politike

12 orë seancë, s’ka komision për ARRSH dhe AKSHI. PD-PS përplasen për ‘Pastrimin e Parave’

Nga Gazeta ‘Si’- Pas një seance maratonë 12-orësh, Kuvendi ka miratuar projektligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave me 76 vota pro. Projektligji për Portet Turistike u miratua me 76 vota pro.

Mazhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës ngritjen e komisionit hetimor për ARRSH me 76 vota kundër.

Po ashtu, u rrëzua me 76 vota kundër dhe 28 vota pro kërkesa për komisionin hetimor parlamentar për AKSHI.

Gjatë seancës, deputetët socialistë patën përplasje rreth drafteve në shqyrtim.

Deputeti socialist, Erion Braçe shprehu mbështetjen për propozimin e opozitës për ta luftuar këtë fenomen, ndërsa parlamenti duhet të ushtrojë kontrolle në punën e institucioneve përkatëse.

“Edhe Vatikani ishte në listën gri për pastrimin e parave të pista. Nuk e bën dot këtë debat, sill sa të duash fakte dhe argumente, është e vështirë. Është e kotë, thuaj sa të duash janë angazhuar një mori me institucione, lexo sa të duash rreshta që thotë kemi dalë nga lista gri, prapë është e kotë, ju vazhdoni ta bëni këtë gjë. Po, në Shqipëri pastrohen para të pista nga mëngjesi në mbrëmje. As se mohon dot kërkush, por ka akte që ligji ka ngarkuar të merren me këtë fenomen. Ka kallëzime për pastrimin e parave edhe në sektorin e ndërtimit. Ka akte të qarta për këtë fenomen. Infiltrojnë edhe në sektorin e ndërtimit para të pista, kjo është e qartë. A duhet të ushtrojë parlamenti kontrolle mbi këto institucione? Po, për t’i detyruar t’i shkojnë deri në fund këtij fenomeni. Nuk ka asnjë të keqe edhe kur e kërkon opozita në mënyrë të qartë. Është fenomen që ekziston kudo, ja ku e keni dhe Italinë. A luftohet ky fenomen? Po. Ne ishim në listën gri se kishim masa të pamjaftueshme, kemi dalë nga ajo listë, por duhet të shkojmë më tej. Ky është proces që duhet të angazhojë të gjitha agjencitë ligjzbatuese. E gjej të drejtë edhe kërkesën e opozitës. Të gjitha institucionet duhet të kenë raport për punën e bërë. Po kjo histori nuk shkon” – tha Braçe.

Teksa Braçe përmendi rastin e vendeve fqinje, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, replikoi ashpër nga foltorja.

“Del Rama dhe thotë nuk është problem korrupsioni se po rritet ekonomia. Po rritet për ju, por mbi 1 mln shqiptarë kanë ikur nga Shqipëria. Korrupsion ka kudo, ju nuk flisni dot për sundim të ligjit. Jeni bërë palë me të korruptuarit. Tallja më e madhe është t’i thuash shqiptarëve edhe në Zvicër pastrohen paratë, ky është mashtrim i madh. Problem janë përmasat. Edhe nga Italia ikin, po nuk është 1/3 e popullsisë në 10 vjet” – u shpreh Shehaj i revoltuar.

Braçe mori sërish fjalën për të replikuar mbi Shehajn, ku tha se fjala e tij është keqkuptuar. Braçe përsëriti se në Shqipëri pastrohen paratë, por nuk është vendi i vetëm.

“Unë nuk thashë që ka pastrim parash në Itali dhe kjo justifikon pastrimin në Shqipëri, nuk thashë këtë, përkundrazi. Ne dolëm nga lista gri e vendeve që nuk kishin masa të mjaftueshme. Abuzimi i zotërisë që foli tani, është përtej logjike. E dëgjoi mirë atë që thashë pak më herët. Abuzim i madh është t’i thuash këtij vendi që paratë pastrohen vetëm në Shqipëri. Po e përsëris, pastrimi i parave duhet luftuar me të gjitha ato që ka parashikuar ligji. Po këtu gjërat kalojnë në absurd”

Braçe reagoi i revoltuar nga vendi teksa Shehaj replikoi mbi deputetin socialist. Nuk mungoi as replika e Taulant Ballës, i cili iu drejtua Shehajt: “Shiko se mos je vetë ndonjë subjekt i pastrimit të parave në Itali”.

Shehaj kërkoi sërish të merrte fjalën, por kërkesa e tij nuk u pranua nga kryeparlamentari Niko Peleshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë