Kryeministri Edi Rama përsëriti qëndrimin e tij se me çështjen e shtrirjes së Greqisë me 12 milje në Detin Jon po abuzohet qëllimisht për të nxitur tensione.
“Vendimet e Greqisë janë keqinterpretuar. Këtu nuk janë miljet e nevojshme për t’u shtrirë 12 milje. Që Greqia të shtrihet 12 milje duhet të vendoset kufiri në Memaliaj. Nuk ka mundësi që as Shqipëria të shtrihet 12 milje dhe as Greqia të shtrihet 12 milje”, deklaroi Rama.
Kreu i Qeverisë e ceku këtë çështje gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Sarandë. Ai thotë se Greqia është në të drejtën e vet që të zgjerohet me 12 milje.
“Ideja që deti mund të shitet si kos është absurde dhe keqardhja më e madhe është se ka aq shumë peshq me këmbë që e marrin për të mirëqenë. Dhe ata që flasin me publikun duke i fryrë këtij zjarri janë maskarenj, qenie të ulëta dhe për fat të keq kanë një pjesë të njerëzve që i ndjekin nga pas”, deklaroi ai.
Rama u shpreh se vendimi grek nuk ka asnjë ndikim për Shqipërinë dhe ujërat e saj territoriale, ndërsa tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë pozitive. “Sot jam shumë krenar që kemi arritur të vendosim rrugën e komunikimit me Greqinë”, deklaroi Kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.