Nga viti 2019, në videot e prezantimit të blerjeve të reja të skuadrës së Romës përfshihen edhe rastet e fëmijëve të zhdukur. Personi i fundit që është gjetur është një 16-vjeçare polake, falë prezantimit të Eldor Shomurodov.
Në total, janë 12 fëmijë që janë gjetur që nga viti 2019, falë fushatës sensibilizuese që lidhet me prezantimet e merkatos nga ana e klubit të Romës. Ideja lindi në verën e 2019-ës, nga përgjegjësi i rrjeteve sociale të klubit italian, Paul Rogers. Më pas klubi roman e ruajti këtë angazhim edhe pas largimit të menaxherit anglez.
Tashmë edhe shumë klube të tjera po mendojnë t’i bashkohen fushatës “Missing Children”, i fundit në radhë është PAOK-u i Selanikut. Roma ka bashkëpunuar me kompani të ndryshme, si “Telefono Azzurro”, “National Centre for Missing and Exploited Children” në Amerikë, “Missing People” në Britaninë e Madhe, “Missing Child Kenya” dhe “International Centre for Missing and Exploited Children”, duke e bërë mesazhin më efikas në çdo cep të botës.
Videot janë parë nga më shumë se 16 milionë herë në rrjetet sociale të Romës. Në to tregohen imazhe dhe gjeneralitete të më shumë se 150 minorenëve të humbur. Videoja e prezantimit të Shomurodov është parë më shumë se 600.000 herë në platformat ku është shpërndarë.
Jo vetëm në Poloni. Iniciativa e Romës u përket fëmijëve të gjithë botës dhe falë bashkëpunimit të gjithë faktorëve janë gjetur fëmijë nga 8 deri në 16 vjeç në Europë dhe Afrikë. Në vitin 2019, lojtarët që kanë parë emrin e tyre pranë emrit të fëmijëve të gjetur janë Çetin (Britani), Xapakosta, Smolling, Mkhitarian (Britani), sërish Smolling dhe Mkhitarian (Kenia) dhe sërish Xapakosta (Belgjikë).
Në vitin 2020 ishte radha e Smolling (Itali), kurse këtë vit Shomurodov (Poloni), Vina (Poloni), Rui Patricio (Itali, dy vajza) dhe El Sharaui (Greqi). Lojtarët e vlerësojnë shumë këtë iniciativë dhe Roma dëshiron të vazhdojë në këtë rrugëtim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



