Histori

11 shtatori, dita që gjunjëzoi Amerikën

Si sot 17 vite më parë, superfuqia e botës u gjunjëzua nga një grup terrorist. Përplasja e dy avionëve në Kullat Binjake, më 11 shtator të vitit 2001 ishin një tronditje e madhe jo vetëm për amerikanët, por për mbarë botën dhe që ndryshuan historinë.

Mbi 3 mijë njerëz kanë humbur jetën, ndërkohë që sulmet lanë pas hidhërim, zi dhe miliarda dollarë dëme për ekonominë amerikane. Viktimat e sulmeve të përgjakshme terroriste ishin shtetas nga 70 vende të ndryshme të botës, në mesin e tyre edhe tre shqiptaro-amerikanë Sulmi në qiellin blu të Nju Jorkut u krye nga “Al Kaeda”. Vrasja  e mijëra të pafajshmëve ishte një sukses i madh për Osama bin Ladenit, por bindja se Amerika ishte dobësuar, ishte vetëm një iluzion. Ajo çfarë pasoi ishte fillimi i fushatës ajrore amerikane në Afganistan tetorin e vitit 2001. Rrëzimi i talebanëve atje do të vinte shumë shpejt duke bërë që “Al Kaeda” të mundej në tokën e saj.

Edhe pse kujtimet e hidhura vazhdojnë të enden në mendjet e shumë dëshmitarëve, një metro në Nju Jork ka hapur dyert për herë të parë pas 17 vitesh, kur u shkatërrua nga rrëzimi i kullave.

Rruga Cortlandt u bllokua nga shembja e dy kullave të Qendrës Botërore të Tregtisë, duke shkatërruar plotësisht stacionin e metrosë dhe një sërë ndërtesash të tjera aty pranë. Por këtë të shtunën, qindra njujorkezë lanë pas dhimbjen dhe u mblodhën për hapjen e stacionit Cortlandt, duke parë të gjithë së bashku nisjen e trenin të parë.

Stacioni i Kullave Binajke hapet për herë të parë pas 17 vitesh

Të mbijetuarit tregojnë historitë e tyre

“Isha duke shuar për në punë kur pashë tymin që dilte nga Qendra Botërore e Tregtisë. Kur arrita në zonën e katastrofës, kudo përtokë kishte xhama dhe flakë. Njerëzit vraponin në çdo drejtim, kurse policia përpiqej të evakuonte rrugën. Dukej si një zonë lufte”, shprehet Alisha, një ndër njerëzit e parë që mbërriti në vendngjarje. “Vrapova te një ndërtesë aty afër për t’u mbrojtur. Më pas dëgjova shpërthimin, avioni i dytë goditi kullën tjetër.  Pamja ishte e papërshkrueshme. Kudo kishte tym të zi. Na thanë të largoheshim nga zona e rrezikshme. Hipa në një traget që shkonte në Bruklin dhe kalonte nëpër East River. Arrita në anën tjetër, ngrita kokën dhe pashe se Kullat Binjake ishin zhdukur nga horizonti”, përfundon ajo.

https://www.youtube.com/watch?v=WdgyP64x7fU

Donaldi, një financier në një kullë aty pranë ishte në katin e 31-të të ndërtesës, duke parë drejt Kullave Binjake, pasi dëgjoi zhurmën e avionëve që po afroheshin. “Mbeta i shtangur dhe i tmerruar nga ajo që pashë. Njerëzit binin dhe hidheshin nga dritaret e kullës. U tmerrova tej mase dhe dola me vrap nga ndërtesa sa më shpejt që munda”, rrëfen ai.

Rakela, një vajzë në të 20-at atë ditë tregon: "Po kaloja nëpër bllokun e banesave, aty ku banoja, në Manhatanin e poshtëm, kur dëgjova zhurmën e një avioni. Ishte kaq e fortë, sa më bëri të ngrija kokën. Nuk mund ta besoja: një avion udhëtarësh po fluturonte shumë pranë ndërtesave. Nuk kishte ku të ulej! Piloti dukej sikur kishte humbur kontrollin. Pastaj dëgjova një grua që ulëriti: Avioni goditi kullën! Një zjarr i madh shpërtheu në një nga Kullat Binjake. Mbeta e tmerruar.  Ishte gjëja më e tmerrshme që kam parë në jetën time. Nuk dukej e vërtetë. Pak minuta më vonë një avion tjetër goditi kullën e dytë....të dyja ndërtesat u shembën. Fillova të vrapoja. Ishte më tepër nga ç’mund të duroja!”

Shembja e  Kullave Binjake 

Denisa, në atë kohë 16 vjeçe ndodhej në shkollë, rreth tri blloqe larg Kullave Binjake.  “Sapo kishte kaluar ora 9.00. E dija që kishte ndodhur diçka, por nuk e dija se çfarë. Ndodhesha në katin e 11-të të shkollës, duke ndjekur orën e historisë. Të gjithë nxënësit dukej sikur kishin shtangur nga frika. Prapëseprapë, mësuesja donte të bënim provim. Ne donim të dilnim e të shkonim në shtëpi. Më vonë, kur avioni i dytë goditi kullën jugore, ndërtesa u trondit. Papritur dëgjova radio marrësen e mësueses: "Dy avionë kanë goditur Kullat Binjake!". Mjaftoi kaq që të gjithë të vraponim.  Mësuesja na hipi në një traget që shkonte në Nju Xhersi. Për të më gjetur, mamasë sime iu deshën më shumë se pesë orë, por të paktën isha jashtë rrezikut.”

https://www.youtube.com/watch?v=5bibWyUUjqU

Xhesika, në atë kohë 22 vjeçe, i pa këto ngjarje kur doli nga një stacion metroje në qendër të qytetit. “Ngrita kokën dhe pashë hi, copa të ndryshme mbeturinash dhe lloj-lloj copash metalike që binin poshtë. Njerëzit pritnin të përdornin telefonat publikë dhe për shkak të vonesave bëheshin gjithnjë e më tepër të papërmbajtur. Më pas një shpërthim tjetër. Nga lart binin copa çeliku dhe xhami. Dëgjova të bërtitura:  Ngrita kokën dhe një pamje e tmerrshme m’u shfaq para syve: njerëz që binin nga katet e sipërme ku tymi dhe flakët vërshonin me furi. I kam ende para syve: një burrë dhe një grua. Për pak kohë ishin varur në një dritare. Më pas u lëshuan dhe binin, e binin, e binin. Pamja ishte e padurueshme”, rrëfen ajo.

Kullat binjake ishin “kështjella mbretërore” e njujorkezëve

Fotografi Brian Rose ndodhej në Amsterdam, kur mori vesh nga telefoni, se një avion sapo kishte fluturuar mes përmes njërës prej Kullave Binjake. Rose, i cili kishte shkuar në kolegj në Manhatan dhe ende kishte një apartament atje, nxitoi të shihte në televizor pamjet e katastrofës. Ai mori në një nga fluturimet e para të lejuara për në Nju Jork, por ajo që do të gjente atje shkonte përtej imagjinatës. Pjesa më e madhe e qendrës së qytetit ishte e rrethuar, por Rose pati mundësinë të shihte gjithçka nga afër.  Ai u ndal të fotografonte zonën që tashmë quhet “Themeli Zero”.

Shembja e Kullave Binjake

Këto fotografi, tregonin pak nga rrethimi i përkohshëm: vinçat, një pjesë e veshjes së aluminit që mbështillte dy kullat dhe objektet e shkrumbuara. Imazhet e tymit të zi që dilnin nga ndërtesat më 11 shtator dhe të njerëzve që u largoheshin reve të pluhurit toksik janë bërë aq të njohura sa më vonë shumica prej tyre e panë vetën në televizor, në ekranet e kompjuterit, në shtyp dhe në librat historik. Rose publikoi një libër me fotot e kullave para dhe pas sulmit duke treguar si ishin strukturat para dhe pasi të bëheshin simbole të tmerrit dhe sakrificës. Ai krijoi disa fotogaleri që tregonin kullat nga shumë pikëpamje të rastësishme. Për të, hijet e Kullave Binjake ishin frymëzimi i qytetit.

"Ato ishin ndërtesat e përsosura që i jepnin sfond Nju Jorkut, kulla që në mënyrë të veçantë, kishin shërbyer gjithmonë si kështjella të padepërtueshme”, shkruan Rose në parathënien e librit.

Kullat shërbenin edhe si pika referimi. Nëse dilje nga një stacion i panjohur metroje ose nuk ishe i sigurt se cila rrugë do të çonte në lindje apo perëndim, një shikim të shpejtë do të ishte i mjaftueshëm për të gjetur kullat dhe për tu orientuar.

Rose i portretizon kullat si “dy gjigantë” që dominonin horizontin e qytetit.  Mendoj se ka qenë gjithmonë një ndjesi qetësie t’i shikojë në horizont Kullat Binjake nuk ishte ishin bërë pjesë e strukturës së Nju Jorkut", shprehet ai.

Burimet: "Ne York Times", "New York Post", "CNN"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë