Rend dhe Ligj

109 vite nga krijimi i Policisë së Shtetit, Nano: Humanë me qytetarët, të ashpër me shkelësit e ligjit

Në ceremoninë e mbajtur për 109-vjetorin e Policisë së Shtetit, kryepolici Gledis Nano, apeloi vartësit e tij të mos shpërdorojnë besimin e qytetarëve, të sillen humanë me ta dhe të ashpër me shkelësit e ligjit.

Ai tha se sytë dhe vëmendja e qytetarëve janë më së shumti të drejtuar nga policia, e cila ka për detyrë të ruajë rendin dhe të krijojë siguri në shkolla, parqe, lokale, banesa e kudo.

“Është koha të fitojmë sa më shumë vetëbesim që t’u ofrojmë qytetarëve në shërbim sa më cilësor, të tregohemi humanë e socialë dhe me kulturë me qytetarët, por edhe të vendosur dhe të ashpër me shkelësit e ligjit”, – u shpreh Nano.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha gjatë fjalës së tij se sot, Policia e Shtetit ka standard të lartë profesionalizmi. Sipas Çuçit, kjo u tregua më së miri në protestën e dhunshme të Sali Berishës më 8 janar. Një urim për Policinë e Shtetit në këtë ditë pati edhe kryeministri Edi Rama.

Nano theksoi e për herë të parë, disa rrugë do të pagëzohen me emra martirësh, mbi të cilat do të kalojnë e pikëtakohen gjenerata të ndryshme.

Ai u shpreh, se pas kësaj ceremonie, jo vetëm në Tiranë, por në disa qarqe të vendit, disa rrugë që nga sot e tutje, me iniciativë të Policisë së Shtetit dhe mbështetje të pushtetit vendor, do të pagëzohen me emrat e policëve të rënë. 

“Jo vetëm do të njohim e të kuptojmë përjetësinë e këtyre emrave, por me gjasë do të na duhet të shohim se ata më tepër se kushdo tjetër, do të vijojnë në një tjetër formë, misionin e tyre në komunikimin e përditshëm me qytetarët, duke qëndruar si etalone të kujtesës, në mbrojtje dhe edukimin e tyre me vlerat me të larta morale, qytetare e patriotike”, tha Nano.

Krijimi i Policisë shqiptare lidhet me shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912. Me 4 dhjetor 1912, u krijua Ministria e Brendshme, e cila përgjigjej për ruajtjen e rendit e të qetësisë publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë