Histori

106-vjetori i lindjes së shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari

Nga Gazeta Si – T’isha një lule- lule are, e vogël dhe me erë.

Të çelnja në pranverë

Dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë time.

T’isha një lule vjollce në mes të ferrave.

Të qëndroja e fshehur, e pa dukur

Dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të rinjëve.

Kjo është poezia e parë e Musine Kokalarit, shkruar pas përfundimit të shkollës së mesme, në korrik të vitit 1937, poezi e cila u publikua në gazetën “Shtypi”.

Në po të njëjtin vit, ajo do të nisej për në Romë, për të vazhduar studimet e larta në Universitetin “La Sapienza”.

Sot është 106-vjetori i lindjes së Musine Kokalarit, shkrimtares së parë shqiptare, disidentes së parë të regjimit komunist, themelueses së partisë opozitare Socialdemokrate në vitin 1943. Musine Kokalari lindi në 10 shkurt 1917 në Adanë të Turqisë.

Tri vite pas lindjes së saj, familja e Musinesë u kthye në Shqipëri dhe Musineja i mori mësimet e para në qytetin e Gjirokastrës. Studimet e larta i kreu në Itali, në Universitetin e Romës, ku u diplomua me rezultate të larta në degën e Letërsisë. Deri në vitin 1944 botoi dy libra “Seç me thotë nënua plakë” dhe “Rreth vatrës”.

Ditari i Musine Kokalari në Romë

Vendosja e regjimit komunist do të sillte ndryshime rrënjësore në jetën e saj. Në nëntor 1944 u pushkatuan pa gjyq dy vëllezërit e saj, Mumtas e Vesel Kokalari, ndërsa ajo u burgos për disa ditë.

Më 23 janar 1946 u arrestua për herë të dytë. Procesi gjyqësor e dënoi me 20 vite heqje lirie. Kështu do të shprehej ajo në gjyq:“Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem…. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”.

Shkrimtarja e parë shqiptare vuajti 16 vite në burg, dhe më pas u internua në Rrëshen të Mirditës, ku jetoi në kushte tejet të vështira ekonomike dhe plotësisht e izoluar nga shoqëria.

Musine Kokalari ndërroi jetë në vitin 1983 nga një sëmundje e rëndë. Bashkëkohësit tregojnë se nuk iu dha mundësia as të kurohej në Spitalin Onkologjik. Vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit. Kur e zhvarrosën vite më vonë, u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba.

Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin, kështu shkruante Musineja vetëm pak kohë para se të vdiste, duke lënë të kuptohej se “ai” nuk ishte veçse Enver Hoxha, i cili u kujdes deri në fund për dënimin e saj.

Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.

Në kuadër të 100-vjetorit të saj të lindjes, në vitin 2017, Ministria e Kulturës financoi botimin e përgatitur nga Biblioteka Kombëtare, kolanën me veprat “Seç me thotë nënua plakë”, “Rreth vatrës”, “Jeta ime universitare”.

Pak ditë para se te mbyllte sytë, Musine Kokalari u kishte dorëzuar të afërmve të saj Platon e Bibika, dorëshkrimet, librat e bibliotekës, sende të saj personale, ato pak gjëra që i konsideronte të vlefshme për të mos u varrosur bashkë me të.

Ndërkohë, në 105-vjetorin e lindjes, të afërmit ia dhuruan këtë trashëgimi Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Në këtë formë ata përmbushën amanetin që u la Musineja afro gati 4 dekada më parë.

Tanimë gjithë bota e panjohur e Musine Kokalarit, është e mundur të njihet nga studiuesit, dhe jo vetëm.

Por ka ende për të zbuluar nga trashëgimia që ka lënë Musineja. Të afërmit janë shprehur se shteti duhet të kthejë sytë nga shtëpia e saj në Gjirokastër, duke e hapur për publikun dhe të krijojë një qasje tjetër edhe për brezin e ri ndaj krijimtarisë së saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë