Njerez

101-vjeçarja e artit të tatuazheve

Lynzy Billing -Pas ngjitjeve rraskapitëse nëpër xhungël, kapërcimit të luginave dhe tarracave me oriz në majat e maleve, ku fshati kalamendës pret vizitorë, turistë dhe admirues mbërrijë të djersirë dhe plot gëzim në fshatin Buskalan, Kalinga, në skajin më verior të Filipineve. Është destinacioni më popullor në Provincën e Kalingas. Turizmi drejt këtij fshati është rritur ndjeshëm nga 30 mijë më 2010-ën, në 170 mijë më 2016 –ën.
Fang-od Oggay del nga kasollja e saj e drunjtë në largësi dhe drejt saj vërshojnë njerëz. Të gjithë duan t’i hedhin një sy qindvjeçares qibare.
Fang-od Oggay rri ulur në shtëpinë e saj, në fshatin Buskalan, në Luzonin verior, Filipine. Ajo njihet në të gjithë botën si legjendë e gjallë dhe artistja e fundit e tatuazheve tribale, që mban titullin e Mambabatok; emri i dhënë tatuatorëve tradicionalë nga etnia Kalinga, për mijëra vite.


“Kur vdes, tatuazhi është e vetmja gjë që do të mbetet në trupin tënd, është si thesar, një thesar që mbetet”, thotë Oggay.
Për më shumë se tetë dekada, Oggay e vetme ka mbajtur të gjallë traditën e fisit Butbut, përmes një metode unike të tatuazheve me dorë. Është një procedurë arkaike, në të cilën Oggay përdor gjemba qitroje për të pikëzuar lëkurën – ose prej kalamansi, një hibrid mes qitros dhe kumquat, një degë e agrumeve. Këto gjemba kalohen në kallam bambuje. Oggay shënjon figurën e tatuazhit në lëkurë me një fije të hollë kashte. Qymyri dhe uji përzien bashkë për të bërë bojën e tatuazheve tribale, që kullohet tek gjembi dhe shtypet me dorë në lëkurë, duke përdorur një rrahës bambuje, rreth 30 centimetra.
Udhëtova drejt maleve të largëta Kordilere, në Filipine, për më mësuar rreth kulturës së tatuazheve Kalinga, nga vetë Fang-od Oggay.

Buskalani është 15 orë me makinë në veri të Manilës.


Buskalani është 15 orë me makinë në veri të Manilës. Kalinga do të thotë “i jashtëligjshëm”, që duket shumë i goditur për rastin. Gjatë katërqind viteve pushtim nga Spanja dhe ShBA, Kalingat ishin një nga të paktët fise që nuk iu nënshtruan sundimit të huaj, për shkak të aftësive të tyre në luftim dhe përbuzjes për të jashtmit.
Mijëra vite më parë, fisi u përfshi në beteja të përgjakshme për troje dhe nder me fshatrat fqinjë. Netëve, betejat e tyre fitimtare kremtoheshin me liker orizi, që piheshin në kafkat e armiqve të tyre, ndërsa vallëzonin me rrahjen e cimbaleve, të bëra me kockat e nofullave njerëzore.

Fang-od Oggay rri ulur në shtëpinë e saj, në fshatin Buskalan, në Luzonin verior, Filipine. 


Gjahtarët ngadhënjimtarë të njerëzve të Butbutit dhe burrat luftëtarë të fisit indigjen, do të shkonin te Mambabatoku në Buskalan, Kalinga, për të bërë batokun (tatuazhin të rrahur me dorë), simbol i trimërisë dhe kurajës për mbrojtjen e fshatit nga armiqtë, deri në vrasjen e tyre. Dhe numri i tatuazheve tek një luftëtar lidhej drejtpërdrejt me numrin e kokave që kishin vrarë. Kjo traditë ka reshtur prej kohësh dhe luftëtari i fundit që mori një tatuazh nga Oggay sepse kishte vrarë, ishte në vitin 2002, kujton ajo. Tanimë, vetëm 30 luftëtarë kanë mbetur në Buskalan.
Kushdo që dëshiron të mësojë dhe praktikojë artin e tatuazheve duhet ta dijë sesi ndihesh kur ke një të tillë, thonë Kalingat. Ata duhet ta provojnë dhimbjen në trupat e tyre.
Për burrat, një tatuazh Kalinga ka qenë tradicionalisht shenjë e fuqisë, pasurisë dhe pushtetit. Por ka edhe romantizëm rreth tatuazheve tribale, filipinase. Tatuazhet këtu përfaqësojnë bukurinë. Një tatuazh e kthen një vajzë në grua dhe sa më shumë të kesh, aq më e bukur je, thonë Kalingat. “Jemi pikturuar, sepse donim të ishim joshëse dhe tërheqëse për burrat”, thotë Oggay. “Shumë nga të moshuarat këtu kanë të njëjtët tatuazhe me bashkëshortët e tyre. Është traditë e Kalingës, që gratë e luftëtarëve të kombinojnë tatuazhet me bashkëshortët.”

Isa është 18 vjeç dhe prej një viti bën tatuazhe. Modelet e tatuazheve Kalinga janë të frymëzuara nga natyra, kafshët dhe figurat gjeometrike. Disa figura tribale përfaqësojnë malet ose diellin, të tjera pjellorinë dhe forcën.

Ka 20 gra të moshuara në Buscalan me trupat plot tatuazhe, shumë prej të cilave e kanë bërë tatuazhin e parë në moshën 13-vjeçare. Dhe këto gra me bijat e tyre dhe mbesat kanë rol të rëndësishëm në fshat.
“Ato e fitojnë bukën e gojës”, thotë Oggay. “Punojnë në fusha dhe tarracat e orizit. Gratë janë punëtore dhe të forta, ne mund të mbajmë ngarkesa të rënda dhe të bëjmë punë krahu…Nëse një burrë mundet, pse të mos mundet një grua?! Ne mund të mbajmë familjet tona dhe fshatin, është mënyra e Kalingave.” Janë gjithashtu gratë që mbajnë bojën indigjene të batokut.
Oggay ishte e para grua tatuatore, në Kalinga. Por ajo mund të mos jetë e fundit Mambabatok. Gjatë viteve ka pasur ndryshim, ndërsa gratë e reja po i kthehen traditës së lashtë. Përmes tatuazheve po mbajnë ekonomikisht të gjithë fshatin.
“Gratë kanë më shumë interes dhe pasion në ruajtjen dhe vazhdimin e teknikës mijëvjeçare”, thotë Oggay. “Janë më të durueshme. Burrat nuk munden të jenë aq të palëvizshëm dhe të saktë, për periudha të gjata kohe, siç mundet një grua.”
Oggay mund të ketë kaluar të gjithë jetën e saj duke pikturuar lëkurët e gjahtarëve të njerëzve, por këto ditë arti i nderuar i popullit të saj po praktikohet mbi turistë të panumërt që vizitojnë fshatin Buscalan, çdo vit.
Në moshën 101-vjeçare ajo lëviz lirshëm, shpërfillëse ndaj adhurimit publik, duke ushqyer rosat e saj dhe duke qëruar oriz. Vizitorët ulen pranë saj dhe pozojnë në fotografi me gishtat e mëdhenj lart dhe i afrohen ta puthin në faqe. Fama e saj është e pamohueshme. Por askush nuk duket se mundet t’ia tërheqë vëmendjen, të cilën e ruan për tatuazhet.
“Kur isha e re, shoqet e mia dhe unë pikturonim njëra-tjetrën, por tatuazhet e mia ishin gjithmonë më të mirat”, thotë Oggay. “Whagay, Mambabatoku i fshatit fqinj të Ngibatit më pikturoi kur isha 15-vjeç, iu deshën atij tri ditë që të më bënte tatuazh në të gjithë trupin”, thotë Oggay. “Më pas ai më mësoi artin e tatuazheve Kalinga.”

Një fshatar mban koka derrash. Të huajve që vizitojnë Buskalanin u kërkohet të sjellin një derr për fshatin. Fang-od kontrollon mëlçinë e derrit për të parë nëse vizitorët sjellin ogur të mirë a të keq në Buskalan, përpara se fshati të bjerë dakord për t’i lënë të qëndrojnë dhe të hanë me ta.

Oggay nuk u martua kurrë dhe nuk pati fëmijë. Ajo bën gjithçka vetë, në pavarësi të plotë. Kam pasur të dashur, por kur isha 25 vjeç burri që dashuroja vdiq gjatë pushtimit japonez, kështu që në vend të martohesha me një tjetër zgjodha t’ia kushtoja jetën tatuazheve”, thotë ajo. “Përmes tatuazheve mbaj veten dhe fshatin. Në fakt, çasti më krenar në jetën time ka qenë kur nisa të bëja tatuazhe.”
Me mijëra turistë shpresëplotë nga të gjithë qoshet e tokës udhëtojnë drejt Buskalanit, çdo vit, për të pasur një tatuazh nga Fang-od ( që shkruhet edhe Whang-od), pasi kanë lexuar rreth saj në internet. Dhe dikush mund të pyesë sesi fama rreth Oggay-it, në Filipine dhe në botë, ndikon tek ajo dhe zeja e saj.
Në tetor t 2017-ës, Oggay udhëtoi në Manila për t’u shfaqur në panairin “Manila FAME”, një ekspozitë ndërkombëtare për artizanët e vendit. Paraqitja e saj u kritikua botërisht, kur në mediat sociale qarkulloi një foto, që e shfaqte Oggay-in të flinte në shfaqjen e tatuazheve, pasi kishte pikturuar 300 pjesëmarrës, në dy ditë. Pati debat nëse Oggay duhet të kishte udhëtuar jashtë mjedisit të saj të largët fisnor, në moshën që kishte dhe, nëse ajo po shfrytëzohej.

“Duhen vite për të përsosur një tatuazh Kalinga”, thotë Oggay.


“Duhen vite për të përsosur një tatuazh Kalinga”, thotë Oggay. “Ishte nder të më ftonin dhe doja të shihja si ishte Manila”, thotë ajo. “Organizatorët më thanë të ndalesha, por nuk doja t’ua çoja dëm udhëtimin aq shumë njerëzve që kishin ardhur të më shihnin, për një tatuazh. Në median sociale kanë thënë se më kanë shfrytëzuar, por unë e dashuroj punën time dhe zgjodha të shkoja dhe të fitoja para për fshatin, që ka pak të ardhura të tjera, përveç tatuazheve Kalinga.”
Oggay u propozua nga Senati i Filipineve për nderimin si Thesari i Gjallë i Kombit. “Batoku ka mbijetuar për shekuj ndaj ndikimeve të huaja. Me nderimin si Thesari i Gjallë i Kombit, njihet bukuria dhe hijeshia e artit të lashtë të tatuazheve dhe sigurohet që një trashëgimi e tillë filipinase do të mbijetojë dhe do të vijojë të ekzistojë”, ka thënë senatorja Nancy Binay në një deklaratë.
“Punoj shtatë ditë në javë nga ora 8 e mëngjesit në 5 pasdite, kështu që jam krenare që më njihet puna që bëj”, thotë Oggay. “Kam përgjegjësi të madhe. Me çdo tatuazh, po ndaj një pjesë të historisë dhe kulturës së Kalingës, me të tjerët.” Oggay është dëshmitarja më e vjetër e fisit Kalinga , që sheh shtëpinë e saj të kthehet në një destinacion për udhëtarët nga e gjithë bota. Dhe në shumë mënyra, ajo është një sipërmarrëse, duke e kthyer artizanatin në biznes të suksesshëm, që mban të gjithë fisin. “Bëj më shumë selfie sesa tatuazhe këto kohë”, qesh ajo. Tatuazhet filipinase simbolizojnë unitet dhe përkatësi ndaj një fisi, në dallim me kulturën perëndimore të tatuazheve, ku figurat shpesh përdoren për të treguar individualitet.

Disa nga tatuazhet e Fang-od Oggay.

“Dikur pikturoja luftëtarët e fshatit dhe figurat Kalinga kishin domethënie të madhe për ta, por këto simbole nuk kanë të njëjtin kuptim për të huajt, që zgjedhin modele më të kënaqshme estetikisht, pavarësisht se ç’kuptim kanë”, thotë Oggay. Megjithatë, të ardhurat nga vizitorët janë të mirëpritura. “Tatuazhet Kalinga ndihmojnë financiarisht fshatin dhe pa turistët nuk do të mund të mbijetonim.”Fshati Buskalan ka një popullsi mbi 700 banorë, nga të cilët 20 vajza të reja po praktikojnë artin e pikturimit të lëkurës. Më e reja, Inga, është vetëm 9 vjeç. Nga këto pasardhëse luftëtarësh, stërmbesat e Fang-od, Grace Palicas dhe Elyang Wigan janë me më shumë përvojë. Ato janë gjithashtu të vetmet vajza, që Fang-od i lejon të bëjnë tatuazhe me të. Grace nisi të bëjë tatuazhe kur ishte 9 vjeç dhe është praktikuar në krahët e Oggay-it.

Claire (majtas) është 19 vjeç dhe ka një vit që bën tatuazhe. Duke praktikuar këtë art të lashtë si ajo dhe Eluyan (djathtas) janë prurësit e të ardhura më të mëdha në familjet e tyre. 


“Grace dhe Elyang më shohin dhe mësojnë prej meje, por unë nuk i mësoj kurrë, nuk janë nxënëset e mia, nuk kam nxënëse”, thotë ajo. “Tatuazhet Kalinga nuk mund të mësohen, nuk ka shkollë për to, ose e ke talentin ose nuk e ke.”
Kalingat besojnë se arti i tatuazheve mund të përçohet përmes linjës së gjakut. “Nëse dikush jashtë fisit do të vazhdojë traditën, tatuazhet do të infektoheshin”, shpjegon Oggay. “Duke qenë se nuk kam fëmijë, stërmbesat e mia janë e vetmja zgjedhje dhe dija ime rreth tatuazheve tradicionale është e vetmja trashëgimi e imja, kështu që i lë të shohin dhe të mësojnë.”
Nga një anë, gratë që praktikojnë këtë art antik po i japin jetë traditës përmes mijëra pikturave në lëkurë, çdo ditë. Nga ana tjetër, fshati Buskalan mbështetet thuajse krejtësisht në turizëm, të sjellë nga Oggay dhe paratë që vijnë prej tatuazheve. “Do të trishtohesha nëse ky art do të vdiste me mua”, thotë ajo.

Fang-od (Whang-od) me turistë të huaj. 


E ardhmja e fshatit dhe e tatuazheve Kalinga varet nga duart e shkathëta të brezit të ri, të mjeshtreve të bojës, të cilat i kanë plot blloqet e rezervimeve. Këto gra të reja kanë mësuar të përshtatin modelet tribale me shijet e vizitorëve modernë . Kjo përfaqëson një ndryshim në domethënien tradicionale Kalingase, por siç thotë Oggay, “Jam e lumtur që kushdo mund të ketë një tatuazh tani, pa iu dashur të vrasë një njeri.”
Në moshën 101-vjeçare ajo lodhet shpejt, por vështrimin e ka të mprehtë. Ajo thotë se do të vazhdojë të pikturojë “derisa të më ikë drita e syve”, por gjithashtu parafytyron një jetë me më pak tension. “Më pyetët çfarë dua të bëj në të ardhmen”, thotë ajo. “Dua të pushoj.”
*Marrë nga Atlas Obsura


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë