Plazhi përveç rrezeve, freskinë dhe qetësinë, na jep dhe një pamje që ka shumë kohë që ka hapur debat. Fëmijët pa rroba banjo që shëtisin para fëmijëve të tjerë që, me të drejtë, mund të pyesin prindërit se përse bashkëmoshatari i tij\saj nuk ka veshur rroba njësoj si ai.
Sociologe Marsida Simo thotë për Gazetasi.al se përderisa plazhi është ambient publik, aty mund të qëndrojnë persona të moshave të ndryshme, kulturave, apo prejardhjeve të ndryshme dhe të gjithë janë aty për të pushuar. Për ta bërë këtë në harmoni, secili mban dhe ndan hapësirën e vetë me të tjerët në bazë të rregullave të mirë përcaktuara.
“Rregullat dhe ligjet nuk mund të pushojnë së ekzistuari kur njerëzit pushojnë. Ato janë në funksion përherë për të vendosur marrëdhënie midis njerëzve dhe për të ruajtur harmoninë”, tregon Simo.

Sipas sociologes, rregullat po ashtu edukohen që në vegjëli nga prindërit tek fëmijët. Etika e veshjes në plazh mund të ndryshojë nga ajo në rrugë, restorant, zyrë, etj, por sërish ka një rregull. Nëse plazhi është një vend ku njerëzit nuk pushojnë nudo, atëherë edhe pushuesit marrin parasysh këtë rregull. Në këtë kuptim edhe me fëmijët duhet të zbatohet i njëjti arsyetim. Fëmija merr mesazhin që prindi i tij është me veshje sepse disa pjesë intime të trupit mbulohen dhe po ashtu edhe ai duhet të bëjë të njëjtën gjë.
“Ajo që nuk bie dakort është pjesa tjetër ekstreme ku vajzave të vogla i veshin trupore ose reçipeta. E kundërta ndodh me djemtë ku priren më shumë t’i lënë pa mbathje. Shoqëria ka nevojë për ekuilibër jo për ekstremitete. Fëmijët kanë nevojë për rregulla dhe të përshtatshme për moshën e tyre”, shpjegon Simo.
“Zhveshja” e fëmijëve ndikon gjithashtu edhe tek formimi i kufirit personal tek fëmijët, sipas psikologe Aljona Jonuzi e cila thotë se në këtë mënyrë, “fëmija rritet duke menduar që është diçka normale të jesh i zhveshur dhe të të shohin”.

Jonuzi e cila ka jetuar në Brazil, Mongoli, Beograd dhe Rusi tregon për Gazetasi.al se në asnjë nga këto vende por dhe në vende të tjera kur ka shkuar vetëm për pushime nuk ka parë fëmijë pa rroba banjo në plazh.
“Jashtë vendit e respektojnë më shumë kufirin personal, trupin e fëmijës. Fëmija respektohet si një individ kurse ne themi: he se nuk ka gjë se është i vogël, nuk kupton”.
Nxjerrja e fëmijëve pa rroba banjo në plazh, padashur, mund të konsiderohet një formë abuzimi pasi sipas psikologe Nereida Llaha, qëndrimi zhveshur i fëmijëve në plazh, është po aq delikat sa puthja e fëmijëve në organet gjenitale.
“Prindërit duhet të dinë që nxjerrja zhveshur e fëmijëve në plazh, është shkelje por edhe një formë denigrimi i imazhit, privatësisë dhe i intimitetit”, thotë Llaha e cila shton se mbi të gjitha, ky veprim është një ekspozim i fëmijës në sytë e abuzuesve seksual.
Nga ana tjetër, Llaha thotë për Gazetasi.al, fëmija është duke u formuar dhe nuk duhet të rritet në modele ku “zhveshja” konsiderohet normale.
Gjithashtu, shton Llaha, nuk është as higjenike qëndrimi zhveshur i fëmijëve në plazh, sepse është i ekspozuar mëtepër ndaj infeksioneve.

Nga ana shëndetësore, studimet janë të dyzuar me disa që tregojnë se qëndrimi zhveshur ndihmon që trupi të thahet më shpejt duke shmangur dhe të ftohurën e fëmijës, plus që në këtë mënyrë lëkura është në gjendje të marrë frymë.
Në lidhje me këtë, mjekë të ndryshëm thonë se rrobat e banjos janë të rëndësishme sepse mikrobet që fëmija merr duke u ulur në rërë, stola apo kudo, rrinë tek rrobat e banjos dhe ka mëpak gjasa të kalojnë në lëkurë gjithashtu rrobat e banjos mbrojnë fëmijët nga rrezet e diellit. Imagjinoni një fëmijë të zhveshur që qëndron në diell për disa orë…
Sido të jetë e drejta, Jonuzi tregon se “fëmijët e huaj është e rrallë ti shohësh pa rroba banjo në plazh. Dhe nëse shikon dikë, është gati e sigurt se është fëmijë me prindër shqiptarë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.