Ekonomi

100-vjetori i Bankës së Shqipërisë, Sejko prezanton monedhën e re. Rama: Mund të quhet me plot gojën institucion

Nga Gazeta ‘Si’- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, hapi sot, më 11 nëntor, konferencën shkencore të organizuar me rastin e 100-vjetorit të krijimit të bankës qendrore.

Gjatë fjalës së tij, Sejko kujtoi vizionin e rilindasit Sami Frashëri për krijimin e institucioneve të afta që mbrojnë sovranitetin ekonomik, dhe theksoi sukseset e BSH-së në zhvillimin e tregjeve financiare, rritjen e besimit në monedhën vendase dhe përmirësimin e standardeve ekonomike të vendit.

Pasi mbajti një fjalim të gjatë, Sejko prezantoi edhe një monedhë të re, të prodhuar me rastin e 100 vjetorit. Në shpinë, në të majtë qëndron portreti i një djali me veshje popullore të Shqipërisë së mesme, i konfiguruar në kartëmonedhën e parë të emetuar në vitin 1926 dhe në të djathtë, portreti i poetit dhe atdhetarit Asdreni i konfiguruar në kartëmonedhën 10000 Lekë, emetimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama, pjesë e takimit, vlerësoi Bankën e Shqipërisë si një nga institucionet më të konsoliduara dhe më të besueshme të shtetit shqiptar.

Në konferencë Rama deklaroi se ky është një institucion që sipas tij na përfaqëson si një model i asaj që duhet të jenë institucionet e pavarura të vendit.

Sipas tij, nuk është e lehtë të thuhet e njëjta gjë për shumë institucione të tjera të cilat ende janë “në proces formimi dhe konsolidimi”.

“Shumë institucione të tjera janë në formim e sipër. Do të ishte e dobishme që historia e zhvillimit dhe e përpjekjeve të BSH për t’u formësuar të merrej përsipër dhe të shkruhej për t’iu dhënë të tjerëve një pasqyrë të tërë rrugës se si u ngrit një institucion i tillë. BSH nuk është se ka një histori më të gjatë se qeveria e Shqipërisë. Ishte viti 1913 kur me ndihmën e austriakëve, Ismail Qemali gati sa nuk e krijoi Bankën e Shqipërisë. Por përpjekja e ndërpre brutalisht nga lufta e parë botërore dhe u desh 12 vjet nga ai moment që Shqipëria të kishte bankën e vetë qendrore. Por fara e mbjellë në 1913 bëri që BSH të lindte edhe pse historia me BSH nuk ka qenë bujare ashtu si edhe me institucionet e tjera, e përsëris se ky është një institucion që na përfaqëson si model të asaj se si duhet të jenë institucionet e pavarura”, tha mes të tjerash Rama.

Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde gjithashtu përshëndeti përvjetorin, me anë të një video-mesazhi. Ajo kujtoi rolin e Bankës së Shqipërisë në fillimin e viteve ’90 kur vendi dilte nga sistemi komunist.

“Ngjarjet e rëndësishme të shekullit XX nga luftërat botërore deri te vendosja e komunizmit të gjitha përfshijnë Shqipërinë dhe institucionet e saj. Një nga ndryshimet më të thella për bankën qendrore erdhi me tranzicionin e trazuar drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut në fillim të viteve ’92 gjatë të cilit inflacioni u rrit shumë shpejt duke tejkaluar 200% në vitin 1992. Banka qendrore u përball me një nga sfidat më të mëdha, rivendosja e stabilitetit monetar dhe eci para duke u përballur drejtpërdrejt me atë sfidë duke rritur ndjeshëm normat e interesit për t’i sjellë normat reale në territor pozitiv me qëllim uljen e inflacionit”, tha Lagarde.

Sipas saj, Shqipëria është përballur me sfida edhe vitet e fundit, por Shqipëria ka dalë e fortë prej tyre edhe falë veprimeve të Bankës.

“Shqipëria përjetoi goditje gjatë kësaj periudhe. Kriza financiare globale i la bankat e mëdha me kapital të huaj në vend me një nivel të lartë të kredive me probleme. Pavarësisht kësaj, Shqipëria doli më e fortë nga këto sfida pjesërisht falë veprimeve të bankës qendrore, për të ruajtur stabilitetin financiar ndër vite. Ajo miratoi rregulloret për shtesat e kapitalit, për raportimin e mbulimit me likuiditet. Gjithashtu në fillim të këtij viti ka nisur zbatimi i masave makroprodenciale për të kontrolluar rreziqet e mundshme që mund të vijë nga tregu i banesave. Suksesi i bankës qendrore pasqyron suksesin më të gjerë të vendit në vitet e fundit”, tha Lagarde

Lagarde tha se BQE mbështet integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Europian dhe është thelbësore që Shqipëria të mbajë një angazhim të palëkundur drejt politikave monetare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë