Histori

100 vjet nga koha kur Tirana u vendos kryeqytet

Ishte viti 1920 kur qeveria e asaj kohe e Kongresit të Leshnjës, u zhvendos në Tiranë për ta quajtur këtë të fundit, kryeqytet i Shqipërisë. Ky 11 shkurt është jubilar, pasi përcakton 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet.

Sot me rastin e Tiranës 100 vjet kryeqytet, Bashkia ka nderuar me medalje mirënjohje disa nga familje që kanë kontribuar ndër vite për qytetin. Kryetari i Bashkisë, u shpreh se Tirana në këtë kohë ka aspirate për t’u bërë një qytet modern dhe europian.

“Jam i lumtur që jemi sot të gjithë bashkë në këtë ditëlindje të parë të shekullit të parë të Tiranës kryeqytet. Tirana nuk është perfekte, por megjithatë ka një aspiratë të bëhet një qytet modern dhe europian dhe shumë punë na pret përpara në këtë drejtim. Ta gëzojmë 100-vjetorin e Tiranës dhe le të endim në jetët e të tjerëve një monument që vlen më shumë se çdo monument guri dhe që është dashuria dhe respekti që kemi për njëri-tjetrin”, u shpreh ai.

Në fakt historia e Tiranës si qytet fillimisht nis në vitin 1614 kur u themelua nga Sulejman Bargjin-Pasha. Ai ndërtoi një xhami, një furrë dhe një hamam në Tiranë. Deri në vitet ’20 të shekullit të kaluar, Tirana ishte një qendër me shumë tipare ende mesjetare, por gjithsesi një qendër e rëndësishme midis rrugëve tregtare veri-jug dhe lindje-perëndim.

Andriola Kambo, studiuese dhe bashkëautore e librit “Tirana, 11 shkurt 1920 – Kryeqytet i Shqipërisë”, shkruan:
“Tirana që në agimin e shtetit të pavarur kombëtar shqiptar u ndodh në pararojën e qyteteve e të forcave atdhetare që ngritën flamurin kombëtar e që dërgoi përfaqësuesit e saj në Kuvendin Kombëtar të Vlorës për t’i dhënë jetë në 28 nëntor 1912 ëndrës së brezave për një Shqipëri të lirë e të mosvarme. Tirana përjetoi kalvarin e pushtimeve të huaja gjatë Luftës së Parë Botërore por qytetarët më të përkushtuar e më të ndërgjegjshëm të saj nuk e humbën shpresën dhe as nuk shkuan pas pinjollëve të degraduar të ndonjë familje të madhe të saj që nga etja e pafund për pushtet ishte gati të shiste të gjithë Shqipërinë. Ata në përfundim të luftës u bashkuan me atdhetarët e vërtetë të mbarë Shqipërisë për të rivendosur lirinë e pavarësinë e nëpërkëmbur të atdheut e për të ndalur njëherë e mirë një copëtim tjetër të trojeve shqiptare në pazaret e diplomacisë evropiane.
Pikërisht atëherë kur një grup atdhetarësh krijuan Komisionin për organizimin e një kongresi kombëtar për shpëtimin e Shqipërisë. Kryetari i Katundarisë së Tiranës (1918 – 1922) Ismail Ndroqi kërkoi që ky Kongres të mbahej në Tiranë. E nëse Kongresi për arsye të ndryshme nuk u arrit të mblidhej në Tiranë dy përfaqësues të shquar të saj, Abdi Toptani e Mytesim Këlliçi shkuan në Lushnjë e morrën pjesë në Kongresin historik që u zhvillua atje në dhjetëditëshin e fundit të muajit janar 1920. “Populli i Tiranës, i madh e i vogël e priti me një gëzim të madh” organizimin e Kuvendit Kombëtar të Lushnjës, thuhet në një dokument të kohës. Për merita të tyre por edhe si parfaqësues të Tiranës, Abdi Toptani, firmëtar i aktit të pavarësisë kombëtare u zgjodh nga Kongresi një prej katër anëtarëve të Këshillit të Lartë, ndërkohë që Mytesim Këlliçi u zgjodh senator në Këshillin Kombëtar.
Delegatët e Kuvendit të Lushnjës në përfundim të tij në rrethanat e krijuara, në 9 shkurt morën vendimin që Tirana të shpallej kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë. Në 11 shkurt anëtarët e Këshillit të Lartë, Aqif Pashë Elbasani, Abdi Toptani, Mihal Turtulli e Imzot Luigj Bumçi u zgjodhën të shkonin në Tiranë së bashku me qeverinë e re me në krye Sulejman Delvinën dhe delegatët e tjerë të Kuvendit. Atë ditë ata u pritën me solemnitet nga kryetari i Katundarisë së Tiranës Ismail Ndroqi dhe nga shumë qytetarë të kryeqytetit të ri. Forcat italiane të pushtimit ashtu siç u përpoqën të pengonin organizimin e Kongresit të Lushnjës po ashtu edhe tentuan të mos lejonin delegatët, qeverinë e Këshillin e Lartë të hynin në Tiranë por dështuan.
Zgjedhja e Tiranës si kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë nuk ishte thjeshtë një rastësi e diktuar nga rrethanat e krijuara në Shqipërinë që ende kishte trupa pushtimi të huaja në territorin e saj. Është e vërtetë që kur u shpall pavarësia e Shqipërisë ka patur diskutime se cili do të ishte kryeqyteti i shtetit të ri shqiptar. Madje në këto diskutime kanë marrë pjesë jo vetëm faktorët e brendshëm politikë e social shqiptarë por edhe qeveri e përfaqësues të fuqive të mëdha evropiane të kohës. Përveç Vlorës në të cilën u shpall pavarësia dhe veproi qeveria e parë kombëtare e Ismail Qemalit, pretendime serioze ka patur edhe Durrësi si kryeqytet i Principatës së Vidit, por edhe Shkodra, Elbasani, madje edhe Kruja. Gjithësecila nga këto kanditatura ka patur favoret e saj, argumente politike, ekonomike, sociale, gjeografike, ashtu siç kanë patur edhe minuset e tyre.
Tirana u përzgjodh si kryeqytet me argumentin e fortë se ajo ishte jashtë zonës së kontrollit ushtarak italian, siç ishte Vlora e Durrësi e jashtë kërcënimeve të forcave jugosllave siç ishte Shkodra, afër të cilës ishin dislokuar trupat ushtarake të Beogradit. Elbasani gjithashtu nuk mund të ishte për shkak të influencës negative të Shefqet Vërlacit, i cili ishte një kundërshtar i rreptë i Kongresit të Lushnjës. Tirana kishte edhe një argument të favorshëm gjeografik: ajo ndodhej në qëndër të vendit, me një shtrirje hapësinore të gjërë për modelimin e një qyteti të ri, me një distancë të shkurtër nga Deti Adriatik e me një mburojë mbrojtje si mali i Dajtit. Ishte ashtu siç ëndërtonte ideologu i Rilindjes Kombëtare Sami Frashëri: “Mezi i Shqipërisë, domethënë kryeqytet i përgjithshëm, do të jetë një nga qytetet, që ndodhenë në mest të Shqipërisë, e në të cilët flitet gjuha shqip… në një vend të shëndetëm e të bukur, me udhë të gjera e të drejta me shtëpi të mira, me sheshe e me gjithë ç’duhetë”.
Krijimi i institucioneve të reja të shtetit shqiptar nuk ishte i lehtë. Mungonin godinat, zyrat dhe njerëzit e përshtatshëm për administratën e re shqiptare. Populli i Tiranës çfaqi përkushtin e vullnet për të ndihmuar në ringritjen e vështirë të shtetit shqiptar. Në dispozicion të Qeverisë, të Këshillit Kombëtar e të institucioneve të reja shtetërore u vendosën godinat dhe hotelet më të mira private që kishte në atë kohë Tirana. Selia e Qeverisë u vendos në godinën që ekziston edhe sot si pjesë e Bibliotekës Kombëtare ngjitur me zyrat e Komunitetit Mysliman. Këshilli i Lartë u vendos në godinën aktuale të Akademisë së Shkencave dhe po aty pak më vonë zhvillonte punimet edhe Këshilli Kombëtar (Parlamenti). Në 13 shkurt 1920, ministri i brendshëm Ahmet Zogu njoftoi të gjitha prefekturat e vëndit se “Tirana u shënua për kryeqytet.” Përfundimisht pas debatesh intensive zyrtare e publike dyvjeçare (1923-1924), Tirana u shpall kryeqytet në fund të janarit 1925.
Administrimi dhe qeverisja e Tiranës si kryeqytet u vendos mbi baza ligjore që nga viti 1922. Në janar të këtij viti Këshilli Kombëtar aprovoi ligjin mbi zgjedhjet e këshillave të bashkive, i cili pasi u miratua edhe nga Këshilli i Lartë hyri në zbatim. Mbi këtë bazë në Tiranë u zhvilluan zgjedhjet e para bashkiake për kryetar e këshillin bashkiak. Kryetar i parë i Bashkisë së Tiranës përmes zgjedhjeve në vitin 1922 ka qënë Ali Bega, ndërsa pasi Tirana u bë përfundimisht kryeqytet, në janar 1925, kryetar u zgjoh Fuat Toptani, në dhjetor të atij viti.
Tirana si kryeqëndra politike e Shqipërisë përcolli të gjitha ngjarjet më të mëdha e më të rëndësishme të vëndit. Ajo njohu përplasjet dhe kthesat e mëdha politike, përjetoi qeveri e qeverisje autoritariste e diktatoriale, pushtimin fashist e çlirimin e saj prej tij. Tirana ka reflektuar e ka fiksuar në truallin e në memorjen e saj natyrën e regjimeve që kanë kaluar, konceptet e shijet e tyre të qeverisjes. Të gjithë deri në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullin XX-të kanë dhënë kontributet e tyre për të mirë e për të keq për të pasur atë Tiranë që kemi sot me disa përjashtime”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë