Sport

100 vjet Flamurtar! Një shekull histori për një nga klubet simbol të Shqipërisë

Gazeta Si – Plot 100 vjet histori. Më 23 mars 1023 lindte klubi sportiv ‘Flamurtari’, një nga klubet simbol të Shqipërisë për atë çka ka bërë në çdo fushë të sportit, veçanërisht në futboll. Është një nga 6 klubet që në 1930-ën krijuan kampionatin e parë kombëtar të futbollit dhe që i ka dhënë Kombëtares shumë e shumë futbollistë.

Ky përvjetor jubilar e gjen fatkeqësisht në kategorinë inferiore ekipin e futbollit, por kjo nuk e zbeh aspak madhështinë e Flamurtarit. Të gjithë e kujtojnë shkëlqimin e ekipit vlonjat në vitet ’80-90, me emra të mëdhenj si Kreshnik Çipi, Vasil Ruci, Rrapo Taho, Alfred Ziaj, Ptro Ruci, Alfred Ferko, Latif Gjondeda, Sokol Kushta, Agim Bubeqi e të tjerë.

Ishte Flamurtari që dhuronte spektakël në fushë dhe që trondiste Jugosllavinë me kualifikimin historik ndaj Partizanit të Beogradit. Flamurtari fitoi 2-0 në Vlorë dhe u mund 1-2 në Beograd, ku ai gol i Sokol Kushtës mbeti i stampuar në sytë e gjithë sportdashësve shqiptarë.

Vlonjatët ishin ata që vendosën rekord me kalimin në turin e tretë të Kupës UEFA të atëhershme. Të paharruara janë edhe përballjet me ekipin e madh të Barcelonës, sidomos fitorja 1-0 në Vlorë në 1987-ën.

Në vitin 1991 u shpall kampion i Shqipërisë, duke fituar kampionatin më të gjatë në Shqipëri, me 39 ndeshje.

Futbolli i sotëm, ai i ekonomisë së tregut, e ka gjetur Flamurtarin me shumë ulje-ngritje. Aktualisht synon t’i rikthehet elitës, nga sot me një trajner të ri, italianin Diego Longo.

Flamurtari ka qenë po ashtu një klub i shquar edhe për sportet e tjera, në lojërat me dorë, ku edhe sot dominon me basketbollin e femrave, apo edhe sportet individuale.

Klubi dhe bashkia e qytetit kanë bërë një organizim special për këtë datë të veçantë, me ndeshje veteranësh të sporteve të dnryshme dhe aktivitetet të tjera. Gëzuar 100-vjetorin Flamurtar!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë