Nga Gazeta Si- Pedagogët vijojnë t’i qëndrojnë deklaratës së bërë edhe më herët, se nëse nuk do të ketë një përgjigje pozitive nga qeveria lidhur me kërkesat e tyre, ditën e nesërme (e mërkurë) 10 pedagogë nga Universitete të ndryshme do të hyjnë në grevë urie.
Në një deklaratë për mediat, kreu i sindikatës ë pedagogëve, Sandër Kovaçi tha se afati i fundit që do të pritet përgjigjja e qeverisë do të jetë ora 16:00.
Sipas Kovaçit, nëse përgjigjja do të jetë negative, ose nuk do të ketë asnjë reagim, atëherë prej ditës së nesërme pedagogët janë gati për të hyrë në grevë urie.
“Presim deri ditën e nesërme, për dy-tre çështje kryesore që u kemi kërkuar, nuk janë përgjigjur pozitivisht. Do presim deri në orën katër përgjigjen e qeverisë, në grevë do të futen disa pedagogë, rreth 10. Është grevë simbolike. Greva do të mbahet në një ambient të brendshëm të universitetit”, tha ai.
Pas kësaj deklarate reagoi kryeministri Rama
“Shiksi i NonGratës paska marrë urdhër për t’i dhënë ultimatum qeverisë me grevë urie të pedagogëve! Grevë urie për rritje rrogash bëjnë vetëm njerëz pa fe e pa atdhe, rublaxhinj pa din e pa iman, foltorexhinj e baltaxhinj që vetëm Shqipërisë e shqiptarëve nuk i shërbejnë!”, shkroi Rama në Twitter.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.