Treg

10 mln netë qëndrime në banesat AirBnB në Shqipëri gjatë vitit 2023, qeveria: Tregu do të ngadalësohet

Nga Gazeta 'SI' - Më shumë se 10 milionë netë qëndrime të formës AirBnB janë regjistruar në Shqipëri gjatë vitit 2023.

Shifrat e publikuara nga ministria e Turizmit në draftin e Strategjisë 2024-2030 tregojnë për një rritje vjetore 12% të këtij sektori. Për të njëjtin vit, netë qëndrimet në hotele përllogariten 7.6 mln.

Në të njëjtin dokument tregohet se banesat me qira afatshkurtër, kanë një numër shtretërish tre herë më të madh se hotelet, 176 mijë me 59 mijë, duke konkurruar kështu me një ofertë më të mirë sasiore dhe monetare.

Por parashikimi i qeverisë për AirBnB nuk është kaq optimist. Deri në vitin 2030, qeveria pret rënie të tregut që mbajnë strukturat AirBnB nga 65 në 61% të totalit. Edhe numri i shtretërve në këto banesa pritet të ketë një rritje të ngadaltë prej 7%, thuhet në draft.

Deri në vitin 2030 ministria parashikon që netë qëndrimet në AirBnB të rriten me 125% ndërsa në hotele me 266%.

 Në të njëjtin dokument qeveria parashikon vendosjen e një takse të sheshtë për subjektet turistike, por nuk ka detaje nëse do të përfshihen edhe banesat e llojit AirBnB.

Gjatë vitit të shkuar, qeveria tentoi të fuste në skemën e TVSH-së të gjithë pronarët që lëshonin banesat me qira dhe të regjistroheshin në QKB me një NIPT, por nisma dështoi. Më herët gjatë këtij viti kryeministri Edi Rama tha se “nuk është ende momenti për t’i taksuar”, pasi janë të ardhura që shkojnë nëpër familje.

AirBnB është bërë globalish konkurrenti më i fortë i hoteleve por edhe faktor i rritjes së kostove të jetesës. Vende turistike si Spanja, Greqia, Portugalia etj kanë marrë masa ekstreme kundër zhvillimit të këtij tregu, nga ngadalimi i qiradhënies tek tatimi i rritur. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë