Menaxhim

10.000 hotele europiane padisin Booking.com: Ka deformuar tregun!

Më shumë se 10.000 hotele kanë paditur platformën Booking.com, për deformim të tregut dhe shfrytëzim të pozitës së saj dominuese.

Padia është ngritur nga Shoqata e Hoteleve, Restoranteve dhe Kafeneve në Europë (Hotrec), që përfaqëson sektorin e mikpritjes në Bashkimin Europian. Për shkak të interesit të lartë, Hotrec ka zgjatur afatin deri më 29 gusht që të tjera biznese të kenë mundësi t’i bashkohen padisë.

“Regjistrimet për t’u bashkuar me padinë po rriten vazhdimisht, gjë që tregon qartë dëshirën e industrisë së mikpritjes për të kundërshtuar praktikat e padrejta në tregun digjital,” shton Hotrec.

Ky veprim ligjor, i mbështetur nga 30 shoqata kombëtare hotelierësh, përfshirë edhe atë të Britanisë së Madhe, pritet të jetë një ndër më të mëdhenjtë ndonjëherë në sektorin europian të mikpritjes.

“Mbi 10,000 hotele janë bashkuar tashmë me iniciativën pan-europiane për të kërkuar kompensim për humbjet financiare të shkaktuara nga përdorimi i klauzolave të paligjshme të ‘çmimit më të mirë’ nga Booking.com”, thuhet në deklaratën e Hotrec.

Sipas padisë, klauzolat e “çmimit më të mirë” kanë qenë të imponuara me presion të madh, duke ndaluar hotelet të ofrojnë çmime më të ulëta në platformat e tjera apo edhe në faqet e tyre zyrtare.

Booking.com gjithashtu i ka përdorur këto klauzola për të parandaluar prenotimet direkte nga klientët, të ashtuquajturat “prenotime pa ndërmjetës”, të cilat reduktojnë komisionet për platformën.

Padia mbulon periudhën nga viti 2004 deri në 2024, kur Booking.com hoqi dorë nga klauzolat e “çmimit më të mirë” për t’iu përmbajtur Ligjit për Tregjet Digjitale të BE-së.

Sipas Hotrec, kjo padi, që do të shqyrtohet në Amsterdam, mbështetet në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në vitin 2024, ku u konstatua se klauzolat e paritetit të çmimeve të Booking.com bien ndesh me ligjin evropian të konkurrencës.

“Hotelierët europianë kanë vuajtur për një kohë të gjatë nga kushte të padrejta dhe kosto të tepruara. Tani është momenti të qëndrojmë të bashkuar dhe të kërkojmë drejtësi”, tha presidenti i Hotrec, Alexandros Vassilikos.

Nga ana tjetër, Booking.com ka hedhur poshtë pretendimet, duke i quajtur deklaratat e Hotrec dhe organizatave të tjera hoteliere si “të pasakta dhe mashtruese”. Në një deklaratë zyrtare, kompania thotë se nuk ka marrë asnjë njoftim formal për një padi kolektive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë