Perceptimet për diskriminimin shoqëror ndaj një individi apo komuniteti mund të jetë në një kuptim të gjerë nxitës i ekstremizmit të dhunshëm. Ndonëse në Shqipëri toleranca fetare është mjaft e përhapur, 1 në 4 myslimanë shqiptarë mendon se institucionet e zbatimit të ligjit janë më të ashpër me myslimanët praktikantë.
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim ka bërë një vlerësim të fundit kombëtar që bazohet në nxitësit e ekstremizmit të dhunshëm, duke shqyrtuar ekstremizmin politik, nacionalist dhe format e ndryshme të ekstremizmit fetar.
Kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet që nga largimi i të paktën 144 shtetasve shqiptarë për në Irak dhe Siri. Ndonëse është shmangur rreziku i madh për shkak të forcimit të kuadrit ligjor si dhe në sajë të ngritjes së kapaciteteve për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, ai mbetet ende një fenomen i pranishëm në Shqipëri.
Krahasuar me studimin e vitit 2018, njerëzit priren të bien më shumë dakord me pohimin se BE është e padrejtë me vendet me shumicë myslimane në Ballkan ose se sistemi ndërkombëtar është përgjithësisht i padrejtë dhe armiqësor me shoqëritë dhe popujt myslimanë në krahasim me vitin 2018.
Po ashtu, pothuajse 1 në 4 shqiptarë është dakord se Islami në Shqipëri përballet me ndikime të huaja. Në një kontekst të tillë, grupet ekstremiste të dhunshme e kanë më të lehtë ta promovojnë veten si alternativë e drejtë përkundër elitave të perceptuara imorale ose të padrejta qeverisëse.
Ndonëse në vitet e fundit ekstremizmi i dhunshëm fetar përbënte një shqetësim serioz për Shqipërinë, studimi i vitit 2018, “Ekstremizmi i dhunshëm në Shqipëri” (IDM, 2018), evidentoi një potencial në rritje të formave të tjera të ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri. Në fakt, ky studim konfirmon se shqiptarët janë më shumë të shqetësuar për ekstremizmin politik sesa për ekstremizmin fetar apo nacionalist.
Shqiptarët priren të deklarojnë se në komunitetin e tyre veprojnë më shumë grupet apo individë ekstremistë politikë (27.3%) sesa grupet apo individët ekstremistë fetarë (12.1%) apo nacionalistë (7.6%).
Duke marrë parasysh riatdhesimin dhe riintegrimin e pritshëm të shtetasve shqiptarë nga Siria, është me rëndësi të vazhdohet me përpjekjet për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm duke zvogëluar hapësirën e mundshme ku veprojnë grupe të tilla. Mbështetja e popullatës së gjerë dhe e komuniteteve pritëse në veçanti është e një rëndësie të madhe për risocializimin e qëndrueshëm të të rikthyerve.
Kur bëhet fjalë për një individ që refuzon një ideologji ekstremiste fetare, shqiptarët nuk perceptojnë institucionet, por komunitetin, rrethin shoqëror dhe edukimin e duhur fetar si faktorët kryesorë që i bëjnë individët të refuzojnë ideologjitë ekstremiste fetare.
Për ta shndërruar strategjinë aktuale P/LKEDH në një kuadër të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe ndërsektorial për qëndresën e komunitetit kundër të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm, sipas raportit të fundit të IDN, duhet të ndërmerren sa më shpejt dhe me prioritet veprimet e mëposhtme:
- Nevojitet një strategji e përshtatur dhe e bazuar në veprime për të trajtuar çështje që janë specifike për komunitetet e cenueshme dhe jo një strategji që bazohet në ideologji dhe që fokusohet vetëm te feja. Strategjia gjithëpërfshirëse P/LKEDH duhet të trajtojë të gjitha format e ekstremizmit të dhunshëm dhe duhet të orientohet nga parimet e qëndresës së komunitetit dhe dialogut gjithëpërfshirës.
- Përmirësimi i hapësirës qytetarë në Shqipëri është me rëndësi për nxitjen e qytetarëve që të marrin pjesë në vendimmarrje. Nismat e edukimit qytetar, ndërthurur me ndryshimet përkatëse ligjore, kanë më shumë gjasa të prodhojnë rezultate pozitive që çojnë në forcimin e kërkesës së llogarisë, ndërkohë që u bën të mundur komuniteteve të margjinalizuara të angazhohen në një hapësirë më të sigurt, ku mund të trajtojnë pritshmëritë e dështuara dhe pakënaqësinë me situatën aktuale.
- Për të përmirësuar legjitimitetin e institucioneve qendrore dhe vendore, për forcimin e shtetit ligjor dhe për rriten e përpjekjeve që synojnë të pengojnë ekonominë informale dhe kriminale dhe korrupsionin galopant, kërkohet një qasje mbarëqeveritare. Forcimi i kapaciteteve të institucioneve të qeverisjes vendore, në veçanti, është nevojë urgjente për të përmirësuar vazhdimisht performancën e tyre në ofrimin e shërbimeve
- Edhe pse toleranca fetare është vlerë themelore në shoqërinë shqiptare, aktorët P/LKEDH, institucionet arsimore dhe shoqëria civile duhet të rrisin përpjekjet për trajtimin e shkaqeve bazë dhe efekteve të stereotipeve, paragjykimeve dhe diskriminimit shoqëror me bazë ideologjike. Nevojitet të hartohet një program komunikimi strategjik për të mbrujtur kulturën e respektit për të drejtat e njeriut që i bën të mundur shoqërisë të ofrojë rrjete mbështetëse shoqërore.
- Fuqizimi i komuniteteve fetare duke i angazhuar ato në strategjitë e parandalimit dhe riintegrimit të zbatuara nga Qendra KEDH dhe ministritë e linjës është me rëndësi të madhe për lehtësimin e riintegrimit të të rikthyerve, duke i përgatitur dhe duke u kërkuar me ngulm klerikëve vendorë të marrin përsipër një rol më aktiv si riedukatorë fetarë. Rritja e besueshmërisë që kanë komunitetet fetare, idetë dhe vlerat e tyre kanë nevojë për një vlerësim të sfidave institucionale me të cilat përballen autoritetet fetare, sfida që bëhen pengesë që këto autoritete të luajnë një rol më të madh në përpjekjet parandaluese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



