Nga Gazeta ‘SI’ Interesi i të huajve për të investuar në Shqipëri është rritur gjatë verës, të paktën sipas shifrave zyrtare.
Banka e Shqipërisë raporton se për tremujorin e tretë 2025, janë regjistruar 448 mln euro investime të huaja direkte, 42 mln euro më shumë se vitin e shkuar, ose 10%. Në total, nga janari në shtator 2025, në Shqipëri kanë hyrë 1.21 mld euro IHD.
Prona mbetet atraksioni kryesor për investitorët në Shqipëri, 150 mln euro vetëm periudhën korrik-shtator, rritje me 70% nga një vit më parë. Për 2025-n, të huajt kanë blerë 403 mln euro pasuri të patundshme.
Aktivitetet e sigurimit dhe financës mban vendin e dytë në listë me 72 mln euro investim. Tregtia shuicë/pakicë dhe riparimi i automjeteve renditet në vend të tretë me 70 mln euro IHD dhe industria nxjerrëse me 36 mln euro.
Edhe pse qeveria ka shprehur shqetësim për origjinën anonime të investitorëve të huaj në Shqipëri, statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se një pjesë shumë e madhe e investimeve, 74 mln euro, vjen nga burime “konfidenciale”, zë që është reduktuar me 10 mln euro.
Kosova mban vendin e parë me 90 mln euro investim në 3 muaj, trefish më shumë se periudha paraardhëse. Shifra duket të jetë rezultat i blerjes së një rrjeti supermarketesh në Shqipëri, nga investitorë të Kosovës.
Italia mban vendin e dytë me 47 mln euro investime, rritje nga periudha paraardhëse, por rënie nga një vit më parë. Lista vazhdon me Holanndën me 44 mln euro dhe Turqinë 39 mln euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




