Kosova

Zyrtari i NATO-s: KFOR i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, ka thënë të shtunën(5 nëntor) se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të ndërhyrë në rast se rrezikohet stabiliteti.

Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se ka biseduar me të dërguarin special të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak lidhur me situatën, siç ka thënë ai, të tensionuar në veri të Kosovës.

“Beogradi dhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Lajçak ka thënë se pajtohet plotësisht me qëndrimet e zyrtarit të NATO-s dhe është mirënjohës për bashkëpunimin e BE-së me aleancën veri-atlantike dhe KFOR-in.

Deklaratat e tyre erdhën ditën e djeshme kur Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet shtetërore.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakic, ka thënë se dorëheqjet përfshijnë pozitat në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, dhe ato të gjyqësorit e Policisë së Kosovës në veri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë