Ronald Koeman e kishte menduar vetë ta zyrtarizonte kalimin tek Barcelona, ndërsa ishte në zyrat e Federatës holandeze të futbollit për të zgjidhur kontratën që e lidhte me ‘’portokallinjtë’’ deri në 2022. Tani erdhi edhe komunikata e klubit blaugran: Koeman pason kështu Quique Setién, i shkarkuar pas katastrofës europiane kundër Bayern Mynih, me firmën mbi një kontratë deri në 30 qershor 2022. Pasdite, konferenca për shtyp e prezantimit në Camp Nou.
Në këtë aventurë të re Koeman do të ketë ndihmës bashkëkombësin Alfred Schreuder, ish-trajner i Hoffenheim e takticien i Ten Hag në sezonin e jashtëzakonshëm të Ajax vitin e kaluar. Në stafin e tij do të jetë edhe Henrik Larsson, ish-lojtar i Barcelonës kampion Europe në 2006. Për Koeman bëhet fjalë për një rikthim në shtëpi. Holandezi ka qenë një legjendë e skuadrës blaugrana, ku ka luajtur nga 1989 në 1995 e me të cilën në 1992 fitoi Kupën e Kampioneve, duke mundur në finale Sampdorian në Wembley në kohën shtesë, me një gol të tijin, përveç katër kampionateve. Koeman është trajneri i pestë hollandez në historinë e klubit katalanas pas Rinus Michels (1971-75 e 1976-78), Johan Cruyff (1988 -96), Louis van Gaal (1997-00 e 2002-03) e Frank Rijkaard (2003-08).

E ka nisur karrierën si trajner pikërisht në Barcelonë si asistent e pastaj teknik i skuadrës B në 1998-99. Në Spanjë ka drejtuar më parë edhe Valencian, duke fituar Kupën e Mbretit, ndërsa nga 2018 ishte teknik i Holandës.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




