Vijon të rritet kolonia e futbollistëve shqiptarë në Serinë A. I radhës që ka firmosur në elitën italiane të futbollit, është mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani. Mbrojtësi i talentuar ka hedhur firmën në kontratë për ekipin e ringritur në Serinë A, Hellas Verona.
Ky është një hap shumë i madh në karrierë për Amir Rrahmanin që ka mundësinë tashmë të tregojë veten në një nga kampionatet më të forta në botë. Mësohet se Rrahmani është larguar nga Dinamo e Zagrebit me destinacion Veronën për shumën e 2 milionë eurove.

Sipas medieve italiane, klubi veronez ka investuar dhe beson shumë të Rrahmani që mund të mbajë përgjegjësi në repartin difensiv në sezonin që vjen. Ai pritet të jetë një pikë thelbësore në qendrën e mbrojtës së Hellas Verona, ku sigurisht nuk do të mungojë edhe rivaliteti për fanellën e titullarit.
Rrahmani e ka nisur karrierën te Partizani në Shqipëri, ku në 4 vite ishte një nga më të mirët edhe pse në moshë fare të vogël. Më tej aventura në Kroaci dhe aktivizimi me ekipin e Kosovës ndikuan shumë në pjekurinë e Amir Rrahmani që tashmë bën hapin e madh në karrierë. 25-vjeçari do të jetë mbrojtësi i katërt shqiptar që luan në Serinë A, pas tre lojtarëve të kombëtares shqiptare, Gjimshiti, Veseli dhe Hysaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




