Drejtësia

Zyrtare/ Katër kandidatë për drejtimin e SPAK, mes tyre një grua

Nga Gazeta ‘SI’ – Doloreza Musabelliu, Klodian Braho, Elvin Gokaj dhe Adnan Xholi janë katër kandidatët për të marrë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Në një njoftim për mediat, këtë të enjte, 9 tetor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë tha se, në përfundim të afatit zyrtar dhe kohës së pritjes për depozitimin e dokumenteve nëpërmjet shërbimit postar, pranë këtij institucioni kanë depozituar shprehjen e interesit për këtë pozicion këta katër prokurorë.

Mandati i Altin Dumanit përfundon në Dhjetor.

Pasi mbyllet afati për paraqitjen e kandidaturave, Komisioni për Zhvillimin e Karrierës ka një afat prej jo më shumë se 10 ditë për të verifikuar nëse kandidatët plotësojnë kushtet. Më pas, ai i paraqet listën për miratim në mbledhjen plenare.

Votimi për zgjedhjen e kreut të Prokurorisë së Posaçme është i hapur dhe bëhet nominalisht, pra me emër. Fiton kandidati që merr më shumë vota sesa të tjerët.

Nëse ndodh që dy ose më shumë kandidatë marrin të njëjtin numër votash, atëherë Këshilli zhvillon një raund të dytë votimi vetëm mes atyre kandidatëve që kanë barazim, me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të pranishëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë