Gazeta Si – Kuqezinjtë kanë nisur të grumbullohen që sot dhe stafi teknik ka kryer një seancë të lehtë stërvitore me lojtarët e parë që kanë mbërritur në kryeqytet. Të pranishëm ishin emra si, Etrit Berisha, Tomas Strakosha, Elhan Kastrati, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Taulant Seferi, Nedim Bajrami dhe Federik Veseli.
Lajmi i keq për trajnerin Silvinjo është mungesa zyrtare e Ismajlit për ndeshjen me Çekinë. Sipas njoftimit të FSHF-së, mbrojtësi është paraqitur në grumbullim dhe ka kryer kontrollin mjekësor. Ardian Ismajli kishte pësuar një tërheqje muskulore në kofshë dhe stafi mjekësor i Kombëtares ka dalë në konkluzionin se ai nuk mund të jetë gati më 12 tetor.
Në këto kushte Ismajli është kthyer në Itali, pranë klubit të Empolit. Ai do të nisë rikuperimin gradual pasi të bëjë disa ditë pushim. Tre lojtarët që do të jenë në garë për të zëvendësuar mbrojtësin e Empolit janë Arlind Ajeti, Enea Mihaj dhe Frederik Veseli. Por gjasat janë që të përshtatet në rolin e mbrojtësit mesfushori Klaus Gjasula, i cili ka luajtur me klubin e tij në këtë pozicion.
Grupi i lojtarëve do të kompletohet të hënën. Trajneri Silvinjo dhe stafi i tij kanë vetëm 3 ditë kohë për të përgatitur ndeshjen vendimtare me Çekinë, ku luhen fatet e kualifikimit në Euro 2024.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.