Futboll

Zyrtare/ Çelsi shkarkon Poter, Saltor trajner i përkohshëm. Në skenë del Nagelsman

Gazeta Si – Graham Poter nuk është më trajner i Çelsit. Me një komunikatë zyrtare, klubi londinez ka bërë të ditur shkarkimin e trajnerit një ditë pas humbjes në shtëpi ndaj Aston Vilës. Bruno Saltor është emëruar trajner i përkohshëm.

“Në emër të gjithë klubit, duam të falënderojmë sinqerisht Graham Poter për kontributin te Çelsi, – kanë deklaruar pronarët Tod Boehli dhe Behdad Eghbali. – Kemi respekt maksimal për Graham si trajner dhe si njeri. Është sjellë gjithmonë me profesionalizëm dhe jemi të zhgënjyer që përfundoi kështu.

Bashkë me tifozët do të mbështesim të gjithë Brunon (Saltor) dhe skuadrën për këtë fund të sezonit. Kemi dhe 10 ndeshje në kampionat dhe jemi në çerekfinale të Championsit. Do të përpiqemi ta mbyllim sezonin së më mirë”.

Poter dhe Saltor. Gazeta Si, 2 prill 2023

Poter e kishte marrë drejtimin e Çelsit në shtator, duke zënë vendin e Tomas Tuhel. Ai la Brajtonin dhe firmosi një kontratë 5-vjeçare, ndërsa tani ikën dhe e lë Çelsin në vend të 11-të në Premier Ligë pas 28 ndeshjesh të luajtura.

Për të ardhmen, emri i parë në listë është ai i Julian Nagelsman, i shkarkuar nga Bajerni i Mynihut vetëm pak ditë më parë. Për të ka edhe një interesim të Totenhemit, por gjasat janë që gjermani të zgjedhë skuadrën e Armando Brojës për të vazhduar karrierën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë