Gazeta Si – Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar sot arritjen e marrëveshjes me trajnerin Silvio Mendes Kampos Júnior (Silvinjo) për të marrë drejtimin e ekipit tonë kombëtar.
Silvinjo do të zëvendësojë në këtë detyrë italianin Edoardo Reja, i cili ishte në krye të kuqezinjve për 3 vite e gjysmë, duke arritur rezultate të rëndësishme dhe duke rinovuar ndjeshëm skuadrën me elementë të rinj premtues. FSHF e falënderon Rejën për kontributin e tij.

Sipas njoftimit të FSHF-s, Silvinjo, ka përzgjedhur si ndihmës të tij argjentinasin Pablo Javier Zabaleta dhe brazilianin Dorival Guidoni Junior. Marrëveshja mes FSHF-së dhe Silvinjon parashikon një kohëzgjatje 18-mujore, deri në përfundim të Euro 2024. Po ashtu, aspekti financiar bazohet në rezultatet dhe arritjen e objektivave.
Marrëveshja ka në thelb arritjen e objektivit të vetëm që ka Shqipëria në këto eliminatore, kualifikimit për në finalet e Euro 2024. Në rast të arritjes së objektivit është rënë dakord që trajneri dhe stafi i tij të përfitojnë bonuse të konsiderueshme.
Kush është Silvinjo
Braziliani është 48 vjeҫ. Ai ka një CV të pasur si lojtar. Karrierën e trajningut e ka nisur sapo la futbollin, në vitin 2011. Ai u emërua zëvendëstrajner te Kruzeiro, më pas te Sport Recife, Nautiko, Korinthias, Inter, zëvendëstrajner i Brazilit për tre vite. Si trajner i parë ka drejtuar disa muaj Lionin në Francë dhe më pas Korinthiasin në Brazil.
Gjatë karrierës së tij braziliani ka luajtur për emra të mëdhenj, si Korinthias, Arsenal, Selta Vigo, Barcelona dhe Mançester Siti. Më 9 janar Silvinjo dhe stafi i tij do të jenë në Tiranë për të firmosur kontratën. Prezantimi do të bëhet në orën 11:00, në stadiumin “Air Albania”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




