Nga Gazeta Si – Transmetuesit publikë nga 37 vende do të marrin pjesë në Eurovision Song Contest 2023 në Liverpool.
Një video e transmetuar nga kanali zyrtar në YouTube i eventit zbuloi listën e vendeve që do të garojnë në Liverpool Arena në datat 9, 11 dhe 13 maj 2023.
Nga 37 kombet pjesëmarrëse, 31 do të garojnë në dy gjysmëfinale nga të cilat do të dalin 20 finalistët të cilët do t’i bashkohen 4 nga 5 të mëdhenjtë (Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja), vendi pritës, Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina, fitues i edicionit të fundit.
Këto janë 37 vendet pjesëmarrëse, me transmetuesit e tyre televizivë kombëtarë përkatës: Shqipëria, Australia, Armenia, Austria, Azerbaixhani, Belgjika, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Islanda, Irlanda, Izraeli, Italia, Letonia, Lituania, Malta, Moldova, Holanda.
Martin Österdahl, mbikëqyrësi ekzekutiv i Eurovision Song Contest, është shprehur:
“Ne mezi presim të mirëpresim artistë nga të 37 vendet në Liverpool, qytetin e popit, majin e ardhshëm. Konkursi i vitit të ardhshëm premton të jetë shumë i veçantë dhe tani ne po punojmë shumë me BBC-në për të siguruar që qindra milionë shikues do të shijojnë kompeticionin më të mirë të këngës në Eurovizion, me Ukrainën në qendër të eventit”.
Transmetuesit që kanë vendosur të tërhiqen ose të mos kthehen në garë
Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë njoftuar më herët se nuk do të marrin pjesë në Eurovizion 2023 për shkak të kostove të larta që priten për të marrë pjesë në këtë kompeticion muzikor.
Edhe Bosnja dhe Hercegovina, Andorra, Monako, Sllovakia dhe Luksemburgu nuk do të kthehen në garë për arsye të ndryshme, duke përfshirë problemet ekonomike dhe/ose interesin e vogël për konkursin. Po ashtu Rusia dhe Bjellorusia nuk do të jenë të pranishëm për arsye të dukshme, pas dëbimit/pezullimit nga EBU.
Bullgaria iu përgjigj privatisht disa faqeve duke thënë se nuk do të merrte pjesë në Eurovision 2023.
Transmetuesit duhet të paguajnë një tarifë për të marrë pjesë në Eurovision Song Contest 2023 dhe tarifa do të ndryshojë sipas madhësisë së vendit. Madje disa vendeve u është kërkuar të paguajnë më shumë, pasi Rusia u ndalua nga konkursi.
Tërheqja e shteteve si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi duket se do të penalizojë edhe vendin tonë, pasi pikët e vendeve fqinje luajnë një rol të rëndësishëm për Shqipërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.