Qeveria është e vendosur që nga data 1 maj të mbyllë një pjesë të madhe të sporteleve që ofrojnë shërbime fizikisht, përfshirë këtu edhe gjendjen civile.
Shërbimi synohet që të kalojë krejtësisht online dhe sipas Kryeministrit Edi Rama, megjithë problematikën që mund të shfaqet në ditët e para ‘revolucioni digjital’, siç e quan ai, nuk mund të ndalet.
“Në fillim do të ketë probleme, do të ketë njerëz që nuk dinë se si ta marrin shërbimin, por prap pas 30 prillit nuk do të ketë më shërbime në letër. Ministria e Brendshme duhet të marrë të gjitha printet dhe letrat nga zyrat e gjendjes civile, sepse nuk ka më nevojë dhe me këtë janë 7 mln euro që kursehen”, deklaroi Rama.
Kreu i Qeverisë mori si shembull hipotekën për të ilustruar idenë se ofrimi i këtyre shërbimeve online është krejtësisht i mundur.
“Famëkeqja hipotekë sot është në telefon. Nuk ka më nevojë që të shkosh deri të hipoteka dhe të hysh në labirinthe për të nxjerrë pronën tënde. Prandaj të gjitha sportelet e hipotekës kanë nisur të mbyllen. Edhe godinat e hipotekës do të humbasin kuptimin e tyre dhe të gjithë njerëzit që punojnë do të jenë në dispozicion të përgatitjes së produktit duke e bërë atë të aksesueshëm nga telefoni”, u shpreh ai.
Për ata që e kanë të vështirë që të përdorin sistemet e shërbimeve online që ofron qeveria, Rama tha se po punohet për ngritjen e një asistenti zanor virtual.
“Po punojmë që brenda vitit tjetër të kemi asistentin me zë të e-Albania, asistenti digjital i çdo qytetari, për t’u interesuar, marrë përgjigje dhe një mënyrë se si merret shërbimi”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.