Futboll

Zvicra përjashton Behramin, lojtari shqiptar akuzon për vendim politik

Në Zvicër ka shpërthyer çështja “Valon Behrami”. Futbollisti me origjinë shqiptare është përjashtuar nga kombëtarja zvicerane me një telefonatë të trajnerit Vladimir Petkoviç. Një vendim i prerë, që ka sjellë shumë polemika dhe një reagim të fortë nga vetë Behrami, i cili e konsideron vendim të pastër politik, të marrë nga njerëz në Federatën Zvicerane të Futbollit që nuk kanë asnjë lidhje me futbollin. Në Zvicër duket se kanë vendosur të bëjnë një pastrim të kombëtares së futbollit nga lojtarët me origjinë nga vende të tjera dhe i pari e ka paguar 33-vjeçari që luan me Udinezen në Itali. Pasojat e festës me shqiponjë në Botërorin e Rusisë sapo kanë nisur të shfaqen, edhe pse u duk se gjithçka ishte mbyllur.

“Më telefonoi trajneri Petkoviç, – ka shpjeguar Behrami për “Rsi”. – Mendova se ishte një telefonatë e zakonshme, por në fakt biseda zgjati vetëm 30 sekonda dhe ai më tregoi derën, duke më thënë se nuk do të grumbullohem më me Zvicrën. Kam menduar shumë herë të tërhiqem nga kjo kombëtare, por e kam ndjerë veten protagonist në këtë grup futbollistësh. Është një vendim politik, nuk ka diskutim. Trajneri mund të thotë çfarë të dojë, duke përmendur motive teknike, por është shumë e qartë se vendimi është politik. Është një vendim i marrë nga njerëz që nga sporti nuk kuptojnë asgjë. Tani do të kem më shumë kohë për të kaluar me familjen time, por më vjen keq, sepse kam bërë gjithçka që grupi i lojtarëve në kombëtare të ishte sa më i bashkuar, sidomos pas polemikave që u krijuan pas festës me simbolin e shqiponjës. Ishin polemika që na shqetësuan jo pak, ndërsa tani duket se ka nisur spastrimi dhe radhën e kanë të tjerët”, – ka akuzuar hapur Valon Behrami.

Valon Behrami dhe trajneri i Zvicrës, Valdimir Petkoviç

Shtypi në Zvicër bën të ditur se përjashtimi i Behramit është fillimi i një revolucioni në kombëtaren e futbollit dhe radhën e kanë edhe “senatorët” e tjerë si Johan Xhuru, Gelson Fernades dhe Stefan Lihshtajner, lojtarë me moshë të madhe, lënia jashtë e të cilëve mund të justifikohet me arsye teknike, por atyre ende nuk u është komunikuar asnjë vendim zyrtar. Por në Zvicër është hedhur edhe hipoteza se Behramit i është mbyllur dera e kombëtares, për shkak të autoritetit të tij në rritje brenda skuadrës. Autoritet, që për trajnerin Petkoviç duket se e ka kaluar kufirin.

Behrami feston golin e Xhakës ndaj Serbisë, bashkë me lojtarët e tjerë

Fakt është që Valon Behrami e mbyll këtu eksperiencën me Zvicrën. Ai ka marrë pjesë në 4 Botërorë dhe ky është një rekord për një lojtar zviceran. Mesfushori regjistron 83 ndeshje me kombëtaren zvicerane dhe 2 gola të shënuar. Situata brenda kombëtares së Zvicrës nuk është aspak e qetë. Festa e golave të Xhakës dhe Shaqirit me simbolin e shqiponjës, pavarësisht se u mbështet gjatë Botërorit nga drejtuesit e futbollit zviceran dhe opinioni në përgjithësi, ka pasur ndikimin e saj. Nga drejtuesit e Federatës së Zvicrës është thënë se do të analizohej mirë paraqitja në Botërorin e Rusisë dhe se do të bëheshin ndryshime, pasi ka nevojë për një frymë të re. Largimi i Behramit, që pritet të pasohet edhe nga të tjerë, do të shtojnë polemikat në kombëtaren zvicerane, ku bëjnë pjesë shumë lojtarë me origjinë nga vende të tjera. Me shumë mundësi, “viktima” e radhës te Zvicra do të jetë Blerim Xhemajli.

Valon Behrami ka luajtur në kapionatet më të njohura europiane, në Itali, ku ka veshur edhe fanellën e Napolit dhe Lacios, në Gjermani me Hamburgun dhe në Angli me Uest Hemin. Aktualisht aktivizohet me Udinezen.

 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë