“Ne kemi sot 200 respiratorë gjendje, plus 54 të rinj dhe 30 të tjerë që janë rrugës, plus 20 në paketën e parë të ndihmës së BE, në total do të jenë 304 në dispozicion”, do të deklaronte dy ditë më parë kryeministri Edi Rama gjatë një komunikimi në Facebook. Pjesë e kësaj shifre që deklaroi Rama ishin 30 respiratorët që sot Zvicra, Norvegjia dhe PNUD-i firmosën me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për t’i sjellë në Shqipëri.
Marrëveshja e përbashkët e partneritetit u nënshkrua virtualisht mes Manastirliut, Ambasadës së Zvicrës, Ambasadës Mbretërore të Norvegjisë për Shqipërinë dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri (UNDP), për rritjen e kapaciteteve dhe sigurimin e një numri të mjaftueshëm të makinerive jetë-shpëtuese për trajtimin e pacientëve të Covid-19 në terapi intensive.
Qeveria zvicerane po dhuron 330,000 USD, qeveria norvegjeze 3,000,000 Krona Norvegjeze dhe UNDP 100,000 USD. Të 30 respiratorët pritet të arrijnë në Shqipëri brenda muajit.
“Në këtë situatë, ku ka më shumë të panjohura sesa të njohura, e vetmja mënyrë për t’u përballur me këtë armik të padukshëm është të bashkojmë forcat, duke qenë solidarë. Ndaj, mbështetja juaj për blerjen e 30 respiratorëve është shumë e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor publik në Shqipëri”, theksoi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.
“Qeveria e Shqipërisë përcaktoi që një nga nevojat kryesore në menaxhimin e krizës së koronavirusit ishte sigurimi i makinave respiratore. Këto makina bëjnë diferencën midis jetës dhe vdekjes për shumë njerëz. Për ne është kënaqësi që mundëm t’i përgjigjemi shpejt kërkesës tuaj dhe të kontribuojmë së bashku për blerjen e 30 respiratorëve shtesë për spitalet e Shqipërisë”, tha Ambasadori zviceran Adrian Maître.
Ambasadori i Norvegjisë për Shqipërinë, Jens Erik Grondahl theksoi: “Në një kohë shumë të vështirë, e cila po i rëndon shumë shërbimet e shëndetit publik, është e nevojshme të tregojmë solidaritet dhe të bëjmë çfarë kemi mundësi për të ndihmuar njëri tjetrin dhe për të forcuar përpjekjet tona të përbashkëta në mundjen e pandemisë. Për këtë arsye, Norvegjia është krenare që mbështet përpjekjet kombëtare të Shqipërisë kundër pandemisë COVID-19 duke siguruar fonde për blerjen e menjëhershme të respiratorëve në një partneritet të paprecedent me Qeverinë Shqiptare, Zvicrën dhe UNDP.”
“Në këtë kohë të paprecedentë, UNDP qëndron në krah të Shqipërisë. Kjo nismë demonstron fuqinë e partneriteteve për të ndihmuar shtetet të adresojnë shqetësime kritike shëndetësore në mes të pandemisë globale. Jemi të lumtur të bashkojmë forcat me Qeverinë Zviceriane dhe atë Norvegjeze për t’u ardhur në ndihmë autoriteteve shëndetësore me pajisje kritike të emergjencave mjekësore të cilat mund të shpëtojnë jetë njerëzish”, tha Përfaqësuesja e Përhershme në Shqipëri e UNDP, Limya Eltayeb.
Rasti i parë i konfirmuar i COVID-19 u regjistrua në Shqipëri më 9 mars dhe deri tani janë 416 raste të konfirmuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




