Politike

Zv.sekretarja e NATO-s takon Sorensenin: NATO-BE, bashkë për stabilitet në Ballkan

Nga Gazeta ‘Si’- Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet NATO-s dhe BE-së për të ruajtuar stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ajo e dha këtë deklaratë në një postim në X, pas një takimi të zhvilluar me Peter Sorensenin, përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Sorensen iu përgjigj deklaratës së Shekerinskës duke thënë se “mezi pres të bashkëpunojmë ngushtë së bashku”.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, vazhdon të luajë një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, ndërsa BE-ja është e angazhuar në lehtësimin e dialogut politik ndërmjet palëve.

Në vitet e para pas luftës, KFOR-i kishte 50.000 trupa, por, pas vlerësimeve të vazhdueshme të sigurisë, ky numër sot ka rënë në rreth 4.600 ushtarë.

Prania e trupave në Kosovë është rritur sa herë që situata ka qenë e tensionuar, sikurse pas sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Aktualisht, pjesë e misionit të KFOR-it janë 29 shtete anëtare të NATO-s.

Në mes të marsit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vizitoi Prishtinën, ku tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë