Gazeta Si - Pas skandalit seksual të ish-kryebashkiakut Safet Gjici, zëvendës-kryetari i Bashkisë së Kukësit, Granit Gjana është paraqitur mesditën e kësaj të premteje në SPAK.
Sipas burimeve paraprake, Gjana është thirrur për t’u marrë në pyetje në lidhje me projektin për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në Kukës, të dorëzuar nga Alma Kaçi.
Projekti u zbulua nga video-skandali seksual i ish-kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici dhe Alma Kaçit, ku kjo e fundit i kërkonte Gjicit tender për zbatimin e tij.
Safet Gjici dhe Alma Kaçi u arrestuan për korrupsion pasiv dhe aktiv. Gjici është lënë në "arrest me burg", ndërsa Kaçi në "arrest shtëpie".
Gjici u arrestua më 24 qershor me akuzën e korrupsionit pasiv, ndërsa pretendoi se nuk ka shkelur ligjin, por ra pre e një kurthi të ngritur nga ata që nuk e duan.
Pas arrestimit të tij në lidhje me video skandalin ku ai shihet teksa kryen marrëdhënie seksuale me një vajzë në ambientet e zyrës së bashkisë, SPAK po kryen veprime hetimore për të parë nëse ka persona te tjerë që e kanë ndihmuar Alma Kaçin për të realizuar videon.
Nga ana tjetër Gjici pretendon se nuk ka kryer veprën penale të korrupsionit pasiv me argumentin, se ka mbetur deklarative çështja e projektit dhe se asnjë procedurë nuk është kryer.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.