Gazeta Si – SPAK ka ngritur akuzë ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për shkelje të barazisë në tendera publike.
Sipas Prokurorisë, çështja lidhet me tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, ku Balluku u thirr sot të paraqitej në SPAK për t’iu komunikuar akuza.
Hetimet po vazhdojnë dhe nuk ka ende vendim gjykate. Balluku mbetet e pandehur, por jo e shpallur fajtore.
Sipas njoftimit zyrtar, Balluku akuzohet për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, që do të thotë dyshim për favorizim apo trajtim të pabarabartë të kompanive që marrin pjesë në një tender publik.
Hetimi lidhet me projektin e madh për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, pjesë e rrugës Orikum Himarë, që është një seksion i autostradës Vlorë -Sarandë.
Ky tender, thekson SPAK, është hapur fillimisht më 11 dhjetor 2020, por më pas është anuluar dhe rihapur më 22 qershor 2021, me një fond limit prej afro 190 mln euro pa TVSH.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, qëndroi rreth 40 minuta në SPAK dhe interesit të gazetarëve zgjodhi t’i përgjigjej me një deklaratë të shkurtër pa dhënë detaje nëse sot i është komunikuar apo jo statusi e pandehur.
Balluku konfirmoi edhe vetë se shkoi në SPAK pas fletëthirrjes për një çështje që është marrë në hetim, duke thënë se beson se do jetë një proces transparent.
“Në respekt të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e prokurorisë së posaçme për një çështje në hetim. Si qytetare e Shqipërisë edhe zyrtare publike, e shikoj si një proces, një proces për të cilin jam shpresëplotë që do jetë i bazuar mbi transparencë dhe mbi parimet drejtësisë tek e cila besoj”, tha Balluku.
Kjo nuk është hera e parë që Balluku paraqitet në SPAK, pasi në 15 maj 2024 ajo dha shpjegime si person në dijeni për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


