Organizatat mjedisore ankohen për qeverinë shqiptare në Komunitetin e Energjisë për HEC-et e Kalivaçit dhe Poçemit
Një ankesë është dërguar të martën kundër qeverisë shqiptare në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë.
EcoAlbania, RiverËatch dhe EuroNatur, tre organizata që drejtojnë fushatën për mbrojtjen e lumit Vjosa në Shqipëri, kanë adresuar shqetësimin e tyre ndaj procedurave për projektet e hidrocentraleve Kalivaç dhe Poçem të cilat sipas këtyre organizatave, nuk janë kryer në përputhje me rregullat e Komunitetit të Energjisë.
Për Komunitetin e Energjisë, kjo është ankesa e parë kundër Shqipërisë lidhur me hidrocentralet.
Ankesa trajton shkeljet e Direktivës së BE-së mbi Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) lidhur me projektet hidro-energjetike Kalivaç dhe Poçem. Direktiva e VNM-së është pjesë përbërëse e kornizës rregullative të Komunitetit të Energjisë.
Për më tepër, citojnë organizatat, kompania dhe autoritetet publike nuk kanë përmbushur kriteret e konsultimeve publike. Ankesa thekson shkeljet e dukshme të rregullave të Komunitetit të Energjisë.
“Kjo është një tjetër mënyrë që ne po përdorim në luftën tonë të gjatë kundër projekteve të hidrocentraleve në lumin Vjosa. Ne besojmë se qeveria shqiptare po thyen jo vetëm ligjin shqiptar, por edhe angazhimin e saj nën Komunitetin e Energjisë me projektet e Kalivaçit dhe Poçemit. Projektet nuk janë as të realizueshme pasi kostot sociale dhe mjedisore nuk janë vlerësuar siç duhet”, është shprehur Olsi Nika nga EcoAlbania.
Në të njëjtën kohë edhe Ulrich Eichelmann nga RiverWatch ka thënë se “Ne presim që Komuniteti i Energjisë të hapë çeshtjen kundër Shqipërisë brenda gjashtë muajve të ardhshëm. Nëse kjo ndodh, projektet e hidrocentraleve duhet të ndalen”.
Lumenjtë shqiptarë janë identifikuar si “Zemra e blu e Evropës” dhe si të tillë përfaqësojnë një trashëgimi natyrore për të gjithë kontinentin. Lumi Vjosa në Shqipëri është “kurora” e këtyre lumenjve. “Lumi Vjosa dhe degët e tij janë të rrallë. Ky rrjet lumor nuk gjendet më në Europë. Prandaj, duhet të mbrohet dhe t’mos shkatërrohet nga hidrocentralet”, tha Gabriel Schëaderer, Drejtor Ekzekutiv i EuroNatur.
Shqipëria është pjesë e Komunitetit të Energjisë që nga viti 2006. KE është një organizatë ndërkombëtare e përbërë nga BE, e përfaqësuar nga Komisioni Europian dhe vendet e Europës Juglindore. Ajo synon të zgjerojë tregun e brendshëm të energjisë në Europën juglindore dhe në rajonin e Detit të Zi. Si anëtare e Traktatit, Shqipëria është e detyruar të përmbushë disa kërkesa në aspektin e politikës energjetike duke përfshirë këtu Direktivën e për VNM-në.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




