Politike

Zona ushtarake e Bulqizës, destinacion turizmi. Rama: Ngremë departament për menaxhimin e pronave të ushtrisë

Nga Gazeta 'Si'- Kryeministri Edi Rama nga Bulqiza prezantoi projektin për Parkun Tematik “Divizioni”, një model i zhvillimit të turizmit që do të transformojë një zonë ushtarake në një destinacion të ri për turizmin.

“Një projekti shumë i veçantë në llojin e vetë sepse jo vetëm do të bëjë transformimin e një territori që deri në fillim të viteve 2000 i ka përkitur ushtrisë shqiptare dhe sot është një shëmbëlltyrë e degradimit por do të krijojë një destinacion turistik të një lloji të veçantë, ku FSHZ jo vetëm do të ndërtojë gjithë këtë infrastrukturë, por do të krijojë kushtet për të mikpritur në këtë infrastrukturë, artizanët e zonës, gra, të cilat sot janë shëmbëlltyra të përpjekjes për të jetuar me punë të ndershme përmes kultivimit të traditës ushqimore të kësaj zone, traditës artizanale të kësaj zone. 

Do të mirëpresë po ashtu kjo hapësirë ata të cilët kultivojnë apo përpunojnë produkte, qoftë fermerët e tokave të punuara të zonës, qoftë edhe grumbulluesit dhe përpunuesit e bimëve medicinale. Do të mikpresë udhëtarë, vendas që kalojë përmes kësaj zone, apo turistë të huaj, që po rriten në mënyrë befasuese vit pas viti në këtë qark, ku deri dje të flisje për turizmin të shihnin me sy shtrembër sikur po talleshe”, tha Rama ndërsa shkëmbeu edhe batuta me dibranët.

“Se këtu është problem i madh, kur flet, se të gjithë të shohin gati për të të kapur gabim, pastaj ta hedhin fjalën nga e majta, ndërkohë që therja e fjalës të vjen nga e djathta”, tha ai.

Rama deklaroi se Ministria e Mbrojtjes po ngre një departament të veçantë për menaxhimin e pronave të ushtrisë, pa hequr dorë nga pronësia e shtetit.

“Po hyjmë në një fazë të re edhe të administrimit të pronave të ushtrisë. Për këtë arsye ministria e Mbrojtjes po ngre një departament të veçantë për menaxhimin e këtyre pronave pa hequr dorë nga pronësia e shtetit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, duke krijuar hapësira për partneritete të natyrave të ndryshme, duke i kthyer në çfarëdolloj rruge sipas projekteve këto asete të mbetura që trajtohen si vendndodhje ushtarake ku s’ka këmbë ushtari në një burim të ardhurash për banorët e zonës por edhe për Ministrinë e Mbrojtjes”, tha Rama.

Nga atje, Rama foli edhe për Rrugën e Arbrit për të cilën tha se është drejt përfundimit.

Vonesa, tha Rama, ka qenë për shkak të problemeve gjeologjike me tunelin e Murrizit, teksa theksoi se ishte një “marrje mësysh”.

“Rruga e Arbrit, që në një farë mënyre, pati dhe një marrje mësysh me atë tunelin e Murrizit dhe nga marrja mësysh rruga do të dalë shumë e fortë. Ai tunel që na shfaqi gjithë ato pengesa, por shkon drejt përfundimit, i ka dhënë zonës mundësinë të përjetojë mundësinë për të qenë një jastëk i gjelbër i metropolit.

Me përfundimin e tunelit dhe çlirimit të segmentit, Dibra nuk është asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa periferia e kryeqytetit të Shqipërisë”, tha ai.

Mandej, Rama e quajti narrativë perverse dhe diabolike narrativën e PD-së se qeveria e tij nuk ka investuar dhe ka lënë në harresë veriun.

"Nëse marrim investimet në veri të qeverisë edhe ato që akoma nuk kanë përfunduar në rrugën e Kombit, që qeveria e mëparshme burimi i kësaj narrative, i ndërtoi vetëm trupin, e la totalisht rrugëve nga pikëpamja e pjesëve të tjera. Vetëm urat janë sot atje si rezultat i kësaj qeverie dhe të tjera.

Janë investime në veri që të marra së bashku janë jo një herë por disa herë se sa gjithë investimet në veri në infrastrukturë nga të gjitha qeveritë më parë", tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë