Ne rrjet

Zona Shengen në rrezik!

 E ardhmja e zonës Shengen u përball me pikëpyetje të mëdha ditën e sotme gjatë takimit të ministrit të Brendshëm gjerman, Horst Seehofer dhe udhëheqësve të qeverisë austriake. Viena ka kundërshtuar planin e Seehoferit për të kthyer në kufi të gjithë azilkërkuesit që ishin regjistruar tashmë në një shtet tjetër Europë, duke rrezikuar që të dërgojë një valë të pakontrollueshme refugjatësh drejt Austrisë fqinje. Gjatë takimit dypalësh, qeveria austriake këmbënguli se është thellësisht e shqetësuar rreth propozimeve të qeverisë gjermane për të hapur një sërë qendrash tranziti për bllokimin e refugjatëve në kufirin bavarez.

Austria nga ana tjetër, ka njoftuar se mund të mbyllë kufirin me Italinë, në mënyrë që të ndalojë hyrjen e radhëve të shumta të refugjatëve. Zotimi i Vienës ka shkaktuar një këmbanë alarmin ë kryeqytetet e BE-së, të cilat ngrenë shqetësimin se kjo do të vinte në rrezik zonën Shengen. Qeveria austriake është ankuar se gjermanët nuk janë konsultuar me ta rreth planeve të tyre, por ministrja gjermane për Evropën, Karin Kneissl deklaroi se as Vjena nuk ka qenë në kontakt me Romën për kufirin mes tyre. Ndërsa këmbënguli se Austria kishte bërë më shumë se shumica e shteteve anëtare të BE-së për marrjen dhe integrimin e azilkërkuesve, ministrja vazhdoi të pyeste se sa prej refugjatëve ishin duke ikur vërtet nga persekutimi. Ajo tha se kishte punuar në kampet e refugjatëve si përkthyese dhe se e kishte të qartë se shumë nga të rinjtë me të cilët fliste ishin emigrantë ekonomik dhe shpesh nuk ishin sirianë siç pohonin, por palestinezë dhe jordanezë. Si kundërpërgjigje, kancelari austriak, Sebastian Kurz, paralajmëroi se qeveria e tij do të duhet të shtojë kontrollet kufitare me Italinë dhe Slloveninë me qëllim që të parandalojë hyrjen e emigrantëve. Në të kundërt, sipas tij, Austria do të kthehej në një “kamp refugjatësh në mes të Evropës".

Kufiri italiano-austriak 

“Nëse Austria do të mbyllte kufirin e saj me Italinë, në veçanti në kalimin e Brennerit, një efekt domino mund të përfshinte mbarë Europën”, paralajmëroi të mërkurën ministri austriak i Transportit Norbert Hofer. Duke folur në një konferencë për shtyp, Hofer paralajmëroi se mbyllja e kalimit të Brennerit do të ishte pa dyshim një fatkeqësi e madhe për Europën. Nëse kufijtë me Italinë dhe vendet e tjera do të mbylleshin, në fund të fundit do të rrezikohej vetë  zona Shengen. Një burim austriak pranoi se mbyllja e Brennerit, një nga pikat kryesore të tranzitit midis Evropës Veriore dhe Jugore do të kishte një ndikim të madh simbolik.

"Tani gjithçka varet nga Gjermania," këmbënguli një burim austriak, duke sugjeruar se Seehofer dhe kancelarja Angela Merkel do të mbanin një përgjegjësi të madhe nëse do të çonin përpara planin e tyre. Përpara vizitës së Seehofer, qeveria austriake këmbënguli se ishte duke pritur shpjegime rreth qëllimeve të qeverisë gjermane. Marrëveshja trepalëshe e arritur të hënën në mes partisë së Merkelit dhe CSU-së së Seehofer, përcaktonte se azilkërkuesit mund të dëbohen ose bllokohen në kufirin gjermano-austriak "në bazë të një marrëveshjeje së arritur" me Austrinë. Por zyrtarët në Vienë theksuan se ende nuk ishte arritur një marrëveshje të tillë dhe se do të duhej të negociohej me Berlinin.

Sebastian Kurz

Javën e kaluar, në samitin e BE-së në Berlin, Merkel arriti të bindte 12 vende për lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe për marrjen e azilkërkuesve nga Gjermania. Përpjekja ishte pjesë e “zgjidhjes evropiane” që ajo kishte premtuar, por erdhi në fakt edhe si një taktikë për të shmangur përballjen me Seehoferin. Por marrëveshja, e cila ende duhet të formalizohet, u konsiderua si e pamjaftueshme nga Seehofer, edhe pse u arrit pas kërcënimit të tij për të dhënë dorëheqjen duke vënë kështu në rrezik koalicionin qeveritar gjerman. Brimet diplomatike në Vienë vunë në dukje se me këtë pasiguri në Berlin, qeveria austriake do të duhej të merrte masa që mos prekej nga politikat e jashtme gjermane. Dy javë më parë, pas takimit me Seehofer në Berlin, Kurz deklaroi se Gjermania dhe Austria kishin krijuar një "bosht vullneti" në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, i cili  përfshinte edhe  partinë populiste të ministrit të brendshëm italian, Matteo Salvini.

Tani, pasi Austria mori presidencën e BE-aq dhe rrezikon të kthehet në strehën e re të emigrantëve, falë Seehofer, Kurz do duhet të gjejë një ekuilibër midis mbrojtjes së Shengenit, një nga arritjet kryesore të BE-së dhe mbrojtjes  së interesit të vendit të tij kundër dy anëtarëve të tjerë të "boshtit të vullnetit".

"Ne duhet të sigurohemi që Evropa që nuk do të ketë kufij të brendshëm" premtoi ai të mërkurën. Por a do arrijë ta mbajë këtë zotim, mes presionit të vazhdueshëm nga Gjermania dhe radhëve të refugjatëve nga Italia?

Zona Shengen  (me blu)

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë