Kryetari i Këshillit Euroatlantik në PD, Preç Zogaj, foli me disa pika mbi fenomenet e kësaj fushate.
“Denoncojmë cenimin e barazisë në zgjedhje, shprehur edhe në vonesat ekstreme të qëllimshme për livrimin e fondeve për fushatën elektorale të PD-së, çfarë ka bërë që praktikisht kjo parti të fushatojë deri në fund pa financimet që i jep ligji, në kontrast të stërmadh me fushatat publicitare shumë të kushtueshme, me financime jotransparente, të Partisë Socialiste dhe koalicionit ‘Bashkë fitojmë’.
Denoncojmë përdorimin në çfarëdo lloj forme të buxhetit të shtetit nga partia në pushtet për orientimin dhe kushtëzimin e votës së qytetarëve,
Shprehim shqetësimin e thellë për rastet e shitblerjes së votës…
Theksojmë se normalizimi i përdorimit të administratës dhe makinerisë shtetërore në zgjedhje për llogari të Partisë Socialiste me justifikimin se na lejohet gjithçka meqë një pjese të opozitës i janë mbyllur dyert në SHBA dhe Europë, është e papranueshme dhe shumë e dëmshme për demokracinë”, tha Zogaj.
Ai kërkoi votën e demokratëve në zgjedhjet e 14 majit.
“Përsërisim thirrjen drejtuar zgjedhësve pa dallim- demokratë, pa parti, të pavendosur-, elektoratit gri, njerëzve të lirë e të fortë të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e 14 majit, të votojnë kandidatët e Partisë Demokratike, të votojnë numrin 9 në fletën e votimit për këshilltarë, ti japin mundësi kësaj partie të mbetet një forcë politike vitale, të ringrihet, të reformohet, modernizohet dhe riniset si alternative perëndimore dhe kombëtare e rrotacionit sa më të shpejtë të pushtetit në Shqipëri”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.