Ngjarje

Zjarri te tregu i ‘5 Majit’ ishte aksidental, policia: Shkak, një shkëndijë elektrike

Gazeta Si – Zjarri masiv që përfshiu dhjetëra magazina te tregu te zona e “5 Majit” në Tiranë pak ditë më parë, ishte aksidental.

Sipas një njoftimi zyrtar të policisë, ai ka ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike në një nga kapanonet e tregut, ku për pasojë janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe në mallra.

“Më datë 08.01.2026, në rrugën “Ferit Xhajko”, dyshohet se, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, ku për pasojë ka patur dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale. Nën drejtimin e Prokurorisë u kryen veprimet procedurale dhe dyshohet se shkaku i rënies së zjarrit ka qenë aksidental. Materialet u referuan në Prokurori për hetime të mëtejshme”, njoftoi policia.

Përveç dëmeve materiale, incidenti ka shkaktuar edhe dëme të mëdha mjedisore. Shtëllungat e tymit kanë ndotur ajrin në zonat përreth Tiranës, duke shqetësuar banorët dhe duke rrezikuar ambientin.

Ndërkohë, bizneset që nuk u prekën direkt nga zjarri, por nga nxehtësia e shkaktuar prej tij, kanë pësuar dëme më të vogla, të cilat po verifikohen nga autoritetet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë