Bota

Zjarri përfshin hotelin në Turqi, 66 viktima dhe më shumë se 51 të plagosur (foto, video)

Nga Gazeta ‘Si’- Një zjarr në një hotel 12-katësh në një vendpushim skijimi në veriperëndim të Turqisë të martën vrau të paktën 66 persona, tha ministri i Brendshëm i Turqisë.

Ali Yerlikaya tha se të paktën 51 persona të tjerë u plagosën në fatkeqësinë që goditi hotelin Grand Kartal në vendpushimin e Kartalkaya, në malet Koroglu të provincës Bolu, rreth 300 kilometra në lindje të Stambollit. Zjarri ka rënë gjatë pushimit të semestrit të shkollave, kur hotelet në rajon janë mbushur plot.

“Jemi në dhimbje të thellë. Fatkeqësisht kemi humbur 66 jetë në zjarrin që shpërtheu në këtë hotel”, u tha Yerlikaya gazetarëve pasi inspektoi vendin.

Zjarri ra rreth orës 3:30 të mëngjesit me kohën lokale, kur shumica e banorëve ishin në gjumë, sipas raporteve të lajmeve. Në përpjekje për t’u evakuuar, disa banorë lidhën çarçafët së bashku për të bërë një litar që e përdorën për të zbritur në një kat më të ulët.

Shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë. Qeveria ka caktuar gjashtë prokurorë për të udhëhequr një hetim mbi zjarrin.

Të paktën dy nga viktimat vdiqën pasi u hodhën nga ndërtesa në panik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë