Biznes

Zjarri në zemër të Lindjes së Mesme, po ‘përvëlon’ edhe Shqipërinë

Në mes të sezonit veror, agjencitë turistike po përballen me anullime të kontratave dhe frikën për një rritje të papritur të kostove përshkak të luftës sulmeve Iran-Izrael. Agjentët turistik tregojnë sesi do të jenë trendet e këtij viti në turizëm

Nga Gazeta ‘SI’ – Në mes të sezonit veror, agjencitë turistike po përballen me anullime të kontratave dhe frikën për një rritje të papritur të kostove përshkak të luftës sulmeve Iran-Izrael.

Eksperti i turizmit, Riges Beqiri, i angazhuar dhe me guidat turistike tregon për Gazetasi.al se Shqipëria është prekur nga shumë kontrata turistike të anulluara, por thekson se është ende herët për të raportuar shifra.

Beqiri thotë se një rritje e çmimit të naftës do të godiste më tej sektorin e turizmit, duke rritur kostot për operatorët dhe duke ulur fitimet.

“Ka shumë kontrata të anulluara, si nga agjencitë që raportojnë edhe nga shërbimet si makinat me qira. Operatorët po mbajnë me ditë shtesë shumë prej vizitorëve izraelitë, sepse është e pamundur të kthehen në vendin e tyre. Një impakt edhe më të fortë do ta jepte shtrenjtimi i naftës, që do të thotë rritje e çmimit të transportit, por ndërkohë paketat janë mbyllur me çmime fikse”, shpjegon eksperti.

Eksperti i turizmit, Riges Beqiri,

Ai shpjegon se sektori i turizmit në Shqipëri po maturohet me një rritje më të ngadaltë, por me një përhapje gjeografike më të madhe.

“Vitet e fundit, trendi rritës është më i ulët, kështu pritet edhe për 2025-n, por kjo tregon se tregu po fillon të maturohet, po shkojmë drejt mbushjes se kapaciteteve. Kemi turistë nga Europa, Azia, Amerika dhe Afrika. Ardhja e tyre lidhet shumë me fluturimet direkte dhe dominojnë ata nag Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Franca dhe Italia, të cilët kanë zgjatur sezonin turistik dhe në pranverë e vjeshtë”.

Shifrat e INSTAT, të paktën për muajt e parë të vitit 2025, tregojnë për një rritje me rreth 8% të turistëve nga Italia, por një rënie të spanjollëve -7.5% dhe polakëve -8.6%. Në rënie janë edhe vizitorët nga Kosova, tashmë me mundësi udhëtimi në zonën Shengen, -6.9%, por mbeten grupi kryesor i turistëve në Shqipëri.

Ekspertja Flora Xhemani Baba parashikon një sezon të ngjashëm si ai i një viti më parë.

“Sezoni 2025 do të jetë pak a shumë si ai i 2024-s, dhe pikat kulmore do të shënohen në Korrik-Gusht. Përderisa në infrastrukturë nuk ka ndryshime drastike, kam parasysh Aeroportin e Vlorës që nuk u hap, edhe konturet e fluksit do të jenë po ato, me një trajektore rritëse, ndoshta 10%”.

Ekspertja e turizmit, Flora Xhemani Baba

Lidhur me tipologjinë e këtyre turistëve, Beqiri thotë se dominojnë të rinjtë, ata që synojnë destinacionet e reja dhe çmimet e lira.

“Turistët vazhdojnë të jenë ata që preferojnë detinacione të lira, mendohet dhe është një destinacon i lirë, si në akomodim edhe në transport e ushqim, janë realisht të lira krahasuar me fqinjët, Greqi e Kroaci. Kemi parë një trend të gjeneratës Gen Z, që e preferojnë për bukuri dhe kosto të ulët. Turistët vazhdojnë të shpenzojnë më pak, sepse është destaincion i lirë dhe ata bëjnë një buxhet, ku kombinojnë destiancionet e shtrenjta dhe të lira. Shqipëria mendohet akoma si destinacion i lirë. Në 2024-n krahasuar me 2023-shin kemi një ulje të shpenzimeve të turistëve, pra u rrit numri i vizitorëve por u ulën shpenzimet. Kaq ofrojmë për momentin, këto janë çmimet dhe shërbimet. Nuk më ka bërë kurrë përshtypje kjo pjesë, ata shpenzojnë sa i jep një vend.

Për “identikitin” e vizitorëve, Xhemani sqaron se nuk ka ndryshim, pasi operatorët shqiptarë fokusohen po në të njëjtat tregje. Ajo shprehet se këtë vit priteshin një “lloj” tjetër turistësh, izraelitet, por me gjasë nuk do të ndodhë.

“Tipologjitë dhe llojet e turistëve, “komandohen” nga ofertat e tregut dhe infrastruktura e transportit. Kompanitë që operojne në tregun shqiptar, nuk e kanë ndryshuar fokusin e tregjeve te tyre. Përveç Kosovës, dihet që turizmi “all inclusive” nga vjen nga Polonia, turizmi kulturor vjen nga Europa qendrore dhe perëndimore. Turizmi individual dhe ai i aventurës nga vendet gjermanike dhe nordike e kështu me radhë. Mund të kishim sivjet charterat e parë nga Izraeli por me situatën e re politike, nuk besoj se do të ndodhë”, thotë ekspertja e turizmit. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë